Smith: S’ka urdhër që të monitorohen komunikimet mes të akuzuarve dhe avokatëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

E publikuar: 26/08/2024 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Thaci Veseli-Krasniqi-Selimi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se nuk ka urdhër për monitorimin e komunikimeve në mes të akuzuarve dhe avokatëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Po ashtu, Smith III njoftoi se edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se nuk ka bërë përgjime të asnjë prej komunikimeve që mbrohen sipas Rregullores së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo deklaratë e gjykatësit erdhi gjatë një urdhri gojor në mocionin e përbashkët të mbrojtjes së katër të akuzuarve, të cilin e kishin dorëzuar më 17 qershor për mbrojtjen e privilegjit ligjor.

“Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor… më 28 qershor 2024 u përgjigj prokurori i specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më 16 korrik 2024, gjykatësja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues vëren që në vendimin e 16 korrikut dhe 24 korrikut, gjykatësi i vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorimin i komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë, as tek vizitat personale, as të telekomunikimit, as të korrespodencës me shkrim dhe as të dokumentacionit në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti; garantojmë mbrojtjen se nuk ka asnjë urdhër për monitorimin e komunikimit të tyre në asnjë formë të akuzuarve në objektin e paraburgimit”, tha Smith III.

Gjykatësi theksoi se tashmë është e qartë që mbrojtja e ka marrë nga organet përkatëse informacionin që duhet të merrte në këto rrethana, transmeton Klankosova.tv.

“Trupi gjykues vëren se nuk ka asnjë bazë ligjore për të bërë një garanci të atillë dhe mbrojtja mund të refuzojë një garanci të ngjashme nëse ofrohet në një rast të ngjashëm. Theksojmë se trupi gjykues nuk ka urdhëruar asnjëherë që të përgjohen komunikimet në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit”, tha tutje Smith III.

Kurse urdhri i dytë me gojë kishte të bënte me dëshmitarin Stiven Russell për ndryshimin e një numri të dokumenti që i ishte prezantuar këtij dëshmitari.

Po ashtu, Charles Smith III tha se administratorja do të nxjerrë kalendarin e seancave nga janari deri më 1 maj 2025 në këtë çështje gjyqësore.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra njoftoi për një bashkë-mbrojtës të ri në ekipin e tyre, e që ishte Detoshama Alagendra.

Kryetari i trupit gjykues njoftoi se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi