Skandali me mishin e prishur, mësohet sa kilogramë kanë hyrë për një vit nga Belgjika në Kosovë

E publikuar: 12/03/2018 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Belgjikë ka shpërthyer javën e kaluar një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “Veviba”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit. Këtë mish dyshohet se e kanë konsumuar edhe qytetarët e Kosovës. Brenda një viti nga Belgjika në Kosovë hyjnë jo më pak se 200 mijë kilogramë mish. Kurse, brenda vitit në Kosovë hyjnë mbi 40 milionë kilogramë lloje të ndryshme të mishit
Një skandal ushqimor ka shpërthyer në Belgjikë pasi Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) ka konstatuar se një pjesë e mishit të prodhuar nga kompania “Veviba” ka qenë e prishur.

Ky skandal ka prekur edhe shumë vende të Evropës që dyshohet se kanë konsumuar këso lloj mishi.

E paprekur nuk ka mbetur edhe Kosova. Madje, kosovarët dyshohet se kanë konsumuar goxha mish të tillë, i ardhur nga Belgjika.

Sipas Doganës së Kosovës, në vendin tonë për çdo vit nga Belgjika hyjnë jo më pak se 200 mijë kilogramë lloje të ndryshme mishi. Kjo shifër paraqet 5 për qind të krejt sasisë që importohet mish në Kosovë brenda një viti.

“Importi nga Belgjika është i ulët në raport me sasinë vjetore të importit të mishit në përgjithësi. Nga Belgjika mesatarisht kemi rreth 200.000 mijë kg brenda vitit, e cila paraqet rreth 0.5% e tërë importit të mishit, pasi që në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kg e të gjitha llojeve së bashku, sipas statistikave tona më së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pulë)”, ka treguar për Gazetën Express, Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës.

Ai ka treguar se origjina e mishit, i cili importohet më së shumti në Kosovë është kryesisht nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda.

Stavileci ka bërë me dije se Dogana e Kosovës kontrollon produktet e mishit në kuadër të tarifimit dhe vlerësimit të saktë, kurse, sipas tij, për cilësinë e importeve të ushqimit (edhe mishit) përgjegjës është AUV (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës).

“… para se të fillojë zhdoganimi i mallrave ushqimore duhet të inspektohen dhe paraqitet certifikata për secilin import të produkteve ushqimore, certifikatë që lëshohet nga AUV”, ka thënë ai.

Kurse, nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit kanë treguar për Gazetën Express se në vitin 2016 në Kosovë janë asgjësuar 20 mijë kilogramë mish i prishur, importuar nga mishtorja e Belgjikës “Veviba”.

Zëdhënësi i kësaj Agjencie, Lamir Thaqi, ka thënë se ky rast ishte zbuluar në Kosovë dhe e njëjta firmë nuk importon më në vendin tonë.

Gjatë ditës së sotme mediet raportuan për cilësinë e mishit që importohej nga Belgjika, këto raportime bënë me dije se mishi ishte i prishur. Dhe bëhej fjalë për rastin e vitit 2016.

“Nuk janë të vërteta disa të dhëna, rasti ka ndodhur në 2016, nuk ka hyrë më mishi i kësaj firme në Kosovë. Sipas verifikimit të vitit 2016, në Kosovë është asgjësuar ngarkesa prej 20 mijë kilogramëve mish”, tha Thaqi për Express.

Për herë të parë për mishin e dyshimtë u dëgjua në Kosovë më 2016, kur një sipërmarrës kosovar i paralajmëroi autoritetet belge se nga kompania “Veviba” kishte marrë një dërgesë me mish të prishur. Për pothuajse dy vjet, kompania ka funksionuar e papenguar deri para pak ditësh kur skandali nisi të trajtohej seriozisht.

Ky lajm po qarkullon me të madhe në të gjitha mediet belge, pasi që kompania “Veviba” ka furnizuar shumicën e supermarketeve më të njohura në vend.

Mediet kanë intervistuar punëtorët e kompanisë të cilët tregojnë për kushte të këqija higjienike të punës, sikurse edhe për manipulime të qëllimshme nga ana e pronarëve të kompanisë. /Gazeta Express/