Skandal shtetëror: Qeveria humb dokumentet e kosovarëve përmes kompanisë private

E publikuar: 28/12/2024 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një skandal të paprecedent, kompania e kontraktuar nga qeveria humb qindra pasaporta dhe dokumente të shtetësisë së qytetarëve të Kosovës. Ky incident ngrit pyetje të mëdha për sigurinë kombëtare dhe për përgjegjësinë e institucioneve në mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme. A do të ketë përgjigje të menjëhershme nga autoritetet?

Në një skandal që po trondit institucionet shtetërore, lajmi për humbjen e rreth 600 dokumenteve të Ministrisë së Jashtme të Kosovës ngre një seri pyetjesh të rënda dhe të ngutshme. Si është e mundur që një sasi kaq e madhe dokumentesh, që përmbajnë informacione sensitive të diplomacisë kosovare, të zhduken në mënyrë misterioze?

Pyetja e parë që na vjen në mendje është nëse këto dokumente janë humbur rastësisht, apo nëse fshihet një qëllim i caktuar pas kësaj ngjarjeje. Kush do të përfitonte nga zhdukja e këtyre dokumenteve? A mundet që këto informacione të përdoren për qëllime personale apo politike, qoftë nga individë të caktuar apo nga vetë qeveria? Çfarë pasojash do të kishte kjo për Kosovën në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për transparencën dhe seriozitetin e institucioneve tona?

Kjo humbje e pazakontë e dokumenteve i jep arsye qytetarëve të dyshojnë për integritetin e institucioneve dhe për mënyrën sesi qeveria po menaxhon informacionin diplomatik. Ndoshta, siç mendojnë disa, humbja e dokumenteve mund të jetë një lëvizje e qëllimshme për të manipuluar opinionin publik, ose edhe për t’i përdorur ato në mënyrë të paskrupullt për të ndikuar në vendimet e individëve të cilët votojnë jashtë vendit.

Në këtë situatë të ndjeshme, Prokuroria e Kosovës duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të nisë një hetim të plotë dhe transparent për të zbardhur të gjitha detajet. Çdo vonesë në zbardhjen e këtij rasti nuk bën gjë tjetër veçse rrit dyshimet dhe humb besimin e qytetarëve. Siguria dhe besueshmëria e institucioneve tona janë në lojë, dhe asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të garantojmë që ligji dhe drejtësia të zbatohet me përpikëri dhe transparencë.

Forumi Intelektual E30 , Forumi Intelektual