Sindikata e Policisë kërkon rritje pagash prej dy koeficientësh sepse “shuma e propozuar nuk përkon me nevojat reale”

E publikuar: 29/10/2024 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) ka reaguar ndaj vlerës së propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave, me ç’rast kërkon rritje prej dy koeficientësh.

Në një komunikatë për media, SPK shkruan se e përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik, mirëpo vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve.

“Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”.

“Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë”.

“Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit” thuhet tutje në komunikatë.