Shqiptari Nik Gjonaj është kandidat për ekzekutivin e Qarkut Oakland Country, Michigan, pozitë kjo mjaftë e fuqishme e cila luan një rol të rëndësishëm në qeverisjen dhe administratën e Qarkut Oakland.
Gjonaj i cili është thellësisht i angazhuar ndaj komunitetit shqiptar, është njëri nga themeluesit e Organizatës Shqiptaro-Amerikane të Studentëve (AASO) dhe është nderuar me çmimin “Shqiptari i Vitit” për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm për komunitetin.
Plani i Nik Gjonajt dhe qëllimi kryesor i tij është që ta transformoj Qarkun Oakland dhe ta bëjë atë vendin më të mirë për të rritur një familje dhe për të filluar një biznes.
Ai do të propozojë buxhete që alokojnë më shumë fonde , për shkollat dhe ofrojnë burime thelbësore për shëndetin mendor për të gjithë banorët.
Gjonaj po ashtu synon të revitalizojë ekonominë e Qarkut Oakland, duke prioritizuar bizneset lokale dhe krijuar mundësi punësimi.
Po ashtu ai si Ekzekutiv i Qarkut, do të punojë për të forcuar marrëdhënien me Zyrën e Sherifit të Qarkut Oakland, duke siguruar që ata të kenë burimet e nevojshme për të luftuar valën në rritje të krimit.
Gjithashtu është i angazhuar për të mbështetur forcën e rendit dhe për të siguruar që ata që kryejnë krime të dhunshme, të përballen me pasojat më të rrepta të ligjit.
Në vitin 2019, buxheti i Qarkut Oakland ishte 758.4 milion dollarë. Në vitin 2023, ai ka arritur në 1.09 miliard dollarë, një rritje prej 43% ose 331.6 milion dollarë nën udhëheqjen e Dave Coulter.
Por Nik Gjonaj premton se nëse do të jetë në të ardhmen në këtë pozitë në të cilën po kandidon, do të ul shpenzimet e panevojshme dhe do të përqendrohet në financimin e prioriteteve, që rrisin sigurinë për familjet dhe bizneset.
Gjonaj po ashtu ka premtuar dhe lehtësim të taksave. Pasi që sipas tij me rritjen e kostove që ndikojnë familjet, taksat mbi pronat në Qarkun Oakland janë rritur me 29.7% nga viti 2022 në vitin 2023, dhe me 47.8% që nga viti 2019. Nën Dave Coulter, taksat mbi pronat kanë arritur maksimumin ligjor.
Por prioritet numër një i Nik Gjonaj mbetet ulja e taksave mbi pronat, duke ofruar lehtësimin e taksave, gjë të cilën banorët e Qarkut Oakland e kërkojnë me urgjencë.
Ndryshe, Nik Gjonaj, aktualisht shërben si menaxher i qendrës kulturore shqiptare në Amerikë, duke mbështetur një komunitet prej 3,000 familjesh.