Shqipëria, Kosova, Serbia dhe rruga e zgjedhja mes nacionalizmit dhe Europës

E publikuar: 07/06/2025 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Shenoll Muharremi

Sot shumica e njerëzve dhe fëmijëve në Shqipëri e shohin me sportivitet ndeshjen Shqipëri-Serbi. Në Kosovë, për shkak të historisë, është ndryshe. Fëmijët dhe njerëzit tanë e përjetojnë me shumë emocione.

Pak merita ka në publik dhe histori Kosova, e cila ka shërbyer si muri mbrojtës i Shqipërisë nga lindja, sidomos nga Serbia. Ndoshta pavarësia dhe integriteti territorial i Shqipërisë janë mbrojtur në Kosovë. E kjo e fundit ka qenë njëfarë “kurbani” i shqiptarëve që ky komb të mbijetojë, të zhvillohet dhe të rritet.

Sot Shqipëria, bashkë me Malin e Zi, është vendi me më së shumti përparim drejt BE-së. Është edhe anëtare e NATO-s.

Por sidomos tani në qershor, kur do t’i hapë të gjitha kapitujt e anëtarësimit, Shqipëria do të arrijë momentin më kulmor në histori që nga koha e Skënderbeut. Kthimi i Shqipërisë në Evropë është një nga ngjarjet më të mëdha shekullore për shqiptarët.

Edhe Kosova duhet vitet e ardhshme të ndahet nga nacionalizmi dhe të fokusohet tek zhvillimi dhe avancimi drejt BE-së. Edhe pse, sa kohë që Serbia zyrtare mbetet super-nacionaliste, Kosova e ka të vështirë të ndryshojë aq sa ka nevojë, por gjithçka duhet të bëhet që të ndryshojë paradigma dhe të fokusohemi sa më tepër në zhvillim, avancim drejt NATO-s dhe BE-së dhe ta ankorojmë vendin tonë në Evropë.

E nëse kjo nuk ndodh vitet e ardhshme, atëherë pas disa vitesh, nëse vazhdon mjegulla dhe paqartësitë, do të ngrihen zërat për bashkimin me Shqipërinë. Kësaj radhe për arsye krejt pragmatike, jo për nacionalizëm si deri më tani.

Por Kosova ka shumë kohë që jeton dhe zhvillohet në një ambient tjetër nga Shqipëria, andaj edhe identiteti i saj individual është i fortë. Nëse ka diçka që duhet ta mësojmë nga Shqipëria, është që të ulim dozën e nacionalizmit dhe të fokusohemi tek rritja cilësore dhe zhvillimi i ekonomise dhe aleancat me Evropën dhe SHBA-në në mënyrë që të përfitojmë.

Vitet e ardhshme mund ta rrisin hendekun mes Shqipërisë dhe Kosovës, si në aspektin e zhvillimit, por sidomos në atë të avancimit drejt BE-së. Kosova, edhe pse ka arritje të jashëzakonshme historike dekadate e fundit, ka humbur kohë deri tani dhe duhet.

Kosova duhet të adaptohet në rrethanat e reja rajonale dhe gjeopolitike dhe duhet të ndryshoj paradigmën, si në qeverisje ashtu edhe në zhvillim dhe përshpejtim drejt NATO-s dhe BE-së. Përndryshe, hendeku po thellohet çdo ditë, dhe muajt e vitet e ardhshme ky dallim mund të bëhet edhe më i thellë nëse nuk ndryshojmë diçka thelbësisht.