Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një shkrese dërguar Zyrës së Kryeministrit, Albin Kurti, ka kërkuar anulimin e vendimit përmes të cilit, Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit Enver Dugolli, është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë që drejton Maqedonci.
Ne korrespodencën siguruar nga “Periskopi”, Maqedonci në letrën e tij dërguar për Sekretarin Koordinues të Qeverisë së Kosovës ka argumentuar kërkesën për anulim të vendimit me njoftimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës se për procesin e rekrutimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ka ankesa të cilat janë në shqyrtim e sipër dhe vendimi për emërimin e Dugollit si Sekretar në ministri është në kundërshtim me ligjin.
“ANULOHET vendimi i Qeverisë Nr.18/2024 i datës 11.09.2024, me të cilin Gafurr Dugolli është emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrit të Mbrojtjes. Kjo kërkesë bazohet në njoftimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të datës 18.09.2024, me të cilin Ministria e Mbrojtjes është njoftuar se për procesin e rekrutimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MM, ka ankesa në proces të shqyrtimit nga ana e Këshillit dhe se ky vendim i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit NR.05/l-031, për procedurën e Përgjithshme Administrative, nenet 130, paragarfi 1 dhe 144 paragrafi1, ndërlidhur me neniin 47 paragfari 10 të Ligjit NR.08/L-197 për Zyrtarët Publik.” – thuhet në kërkesën e ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci”, thuhet në dokument.
Maqedonci për këtë problematikë i ka shkruar dhe një letër sqaruese kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i treguar se kur e ka bërë propozimin për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Qeveri, si ministër s’ka qenë në dijeni që lidhur me procedurën e rekrutimit ka ankesa në shqyrtim e sipër dhe ka kërkuar anulimin për të shmangur implikimet ligjore për Ministrinë e Mbrojtjes.