Sherifi i Nisma: Vetëm dorëheqja e shpëton Isa Mustafën nga shkarkimi

E publikuar: 06/05/2017 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kjo në bazë të një qëndrimi të sekretarit të Nisma, Bilall Sherifi që ka shtuar se vetëm një dorëheqje do ta shpëtonte Mustafës nga shkarkimi, transmeton Klan Kosova.

“Shpërthimet e kryeministrit në ikje Isa Mustafës dhe oborrtarëve të tij kundër shfrytëzimit të një të drejte demokratike siç është e drejta për mocion janë tregues i mjaftueshëm se ditëve të tij në krye të qeverisë u ka ardhur fundi”, ka shkruar Sherifi në Facebook.

Përmasat histerike sipas tij të reagimeve kundër ngritjes së mocionit janë dëshmi e pakontestueshme se vendimi për të ngritur mocionin ka qenë veprim i duhur.

“Këtë fakt e përforcon edhe më shumë paniku që u shpërfaq sapo u bë publik lajmi për mbledhjen e nënshkrimeve të domosdoshme për tu shtruar në Kuvendin e Kosovës. Përkundër asaj se të gjithë e dinë të vërtetën, kryeministri në ikje dhe oborrtarët e tij vazhdojnë me gënjeshtrën se gjoja kemi të bëjmë me një “Mocion të Opozitës”, ka shtuar më tej ai.

“Është fakt i pamohueshëm se iniciativën për mocion e filloi opozita, konkretisht Kryetari i Partisë NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, por procedimi në Kuvendin e Kosovës u bë falë edhe mbështetjes së deputeteve të mazhorancës, deputetëve të pavarur dhe deputet nga pakicat që janë pjesë e qeverisë së tij”.

Ajo që më së shumti e brengos kryeministrin në ikje dhe oborrtarët e tij, ka përmendur Sherifi ka të bëjë me realitetin se për herë të dytë gjatë sundimit të vet bashkohen deputetët e partive të pozitës dhe opozitës dhe të përkatësive të ndryshme etnike kundër qeverisë së tij.

“Falë bashkimit që kapërcen pikëpamjet politike dhe në qendër të vëmendjes vë interesin e Kosovës Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk kaluan! Madje edhe me ndihmën e konsiderueshme të deputetëve që vijnë nga “Partia e tij”, ka pohuar ai.

“Përballë këtyre fakteve Isa Mustafës, si kryeministër në ikje, nuk i ka mbetur gjë tjetër pos dorëheqjes. Në të kundërtën ai do të shkarkohet!”, ka përfunduar Sherifi.