Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se punët rreth shënimit të kufirit ndërmjet Republikës se Kosovës dhe shtetit të Malit të Zi, janë në përfundim e sipër.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar së fundmi se Komisioni Kosovar Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, ka përfunduar punët, por sipas tij, janë edhe disa çështje që kanë mbetur për t’u sqaruar me Komunën e Pejës dhe banorët e atyre viseve ku do të shënohet vija kufitare me Malin e Zi.
“Asgjë nuk mund të ndodhë dhe asgjë nuk mund të kryhet jashtë dokumenteve, të cilat vërtetojnë se ku ka qenë dhe ku duhet të shënohet kufiri. Unë mendoj se kjo punë mund të kryhet dhe se zvarritja e këtij procesi, nuk mund të na çoj as më shumë në territorin e Malit të Zi, as nuk i fut ata në territorin tonë”.
“Kufiri është i qartë, vetëm se duhet të sqarohet me qytetarët në mënyrë që të mos ketë ankesa dhe ata t’i pranojnë argumentet të cilat atyre u ofrohen”, tha Mustafa.
Rreth shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, për disa kilometra kontestuese, ka pasur reagime dhe pakënaqësi nga pronaret e atyre tokave ku do të përcaktohet vija e përhershme kufitare.
Ali Lajçi, kryetar i Komisionit Komunal për ketë çështje, i cili thotë se është emëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, konsideron se lidhur me punën e deritanishme për shënimin e vijës ndarëse të kufirit me Malin e Zi, janë bërë shkelje të mëdha.
“Nga kjo zonë, kemi shqetësime të mëdha të pronarëve të shfrytëzuesve e të tjerë. Ata thonë se cenohet prona. Vetëm në anën e Rugovës shkon deri në 7 mijë hektarë, kurse nga pjesa e Kullës kemi edhe 5 kilometra që jemi duke e bërë llogarinë e tyre në sipërfaqe dhe kjo është e papranueshme”. Ë
“Është një cenim i rëndë, janë marrë bjeshkët kryesore”, tha Lajçi.
Kurse, kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha, tha për Radion Evropa e Lirë, se procesi për shënimin e vijës kufitare është duke shkuar pa problem.
Ai thotë se kufiri i vitit 1974, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Pakoja e Ahtisarit, janë pjesë përbërëse e vendimmarrjes për vijën kufitare.
“Komisioni shtetëror ka mbledhur gjithë dokumentacionin relevant dhe e ka prezantuar. Kosova nuk e ka as një pretendim për territore të huaja sikurse as Mali i Zi që nuk ka shprehur ndonjë pretendim në territoret tona. Prandaj, komisioni e ka pasur për detyrë që të punojë në bazë të dokumenteve dhe detyrave që i ka marrë përsipër me vendimin e qeverisë”, ka shpjeguar Meha.
Meha tha se si komision janë në dijeni për disa pakënaqësi të disa banorëve të asaj ane, por pretendimet e tyre duhet të dokumentohen me fakte.
“Kemi mbajtur 15 takime me banorët e asaj ane, me kryetarin e Komunës së Pejës i kemi sqaruar të gjitha gjërat. Presim me transparencë që t’i ofrojnë dokumentet për atë që pretendojnë dhe ajo do të jetë”, tha Meha.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zyrtarë nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë.
Ata thanë shkurt se “nuk ka rrethana të reja lidhur me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës”.
Përfundimin e çështjes së shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovës.