Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës

E publikuar: 23/12/2024 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aktualisht nuk sheh rrezik të ndonjë sulmi rus në territorin e aleancës, mirëpo e sheh të ardhmen me shqetësim.

“Nuk ka vend për frikë tani”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve dpa, i pyetur nëse vendet e NATO-s duhet të frikësohen nga Rusia, mirëpo ka shtuar se “nëse nuk shpenzojmë më shumë dhe nuk prodhojmë më shumë, do të kemi problem serioz në katër, pesë vjet”.

Rusia e ka zgjeruar në masë të madhe prodhimin për qëllime të mbrojtjes, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Sipas Ruttes, aleatët e NATO-s nuk janë duke bërë shumë për ta luftuar këtë gjë.

“Na duhet ta rrisim prodhimin për mbrojtje, bazën industriale të mbrojtjes”, ka thënë ai.

“Duhet krijuar linja të reja prodhimi, ndërrime shtesë, sepse nuk jemi duke prodhuar mjaftueshëm pajisje ushtarake për t’u mbrojtur në afat të gjatë”.

Rutte pret edhe presion prej presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka kërcënuar me tërheqje prej NATO-s përgjatë mandatit të parë, nëse aleatët nuk shpenzojnë për mbrojtje 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

“Ai do të kërkojë që të bëjmë më shumë. Dhe ka të drejtë. Duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë Rutte.

“Aleatët e NATO-s janë të përkushtuar që të investojnë 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje. Dhe shumë vende evropiane tani e kanë arritur atë synim”, ka thënë Rutte.

Megjithatë, ai ka thënë se sheh problem në mbrojtje kundër Rusisë, nëse nuk rriten shpenzimet edhe më shumë.

Rutte nuk ka thënë nëse aleatët e NATO-s duhet të shpenzojmë 3 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, apo edhe më shumë.

Vendimi për shpenzime pritet të merret në samitin e radhës të aleancës, që do të mbahet në qershor.

Përgjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Trump pati thënë se e konsideron të domosdoshme që vendet anëtare të aleancës të shpenzojnë 3 për qind të buxhetit të tyre.

Ka raportime që Trump mund ta rrisë kërkesën në 5 për qind.