SHBA-të sanksionojnë shtatë rusë, tentuan ta destabilizojnë Ballkanin dhe Moldavinë

E publikuar: 05/06/2023 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtatë anëtarë të një grupi rus të lidhura me shërbimet inteligjente janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo për shkak se ata kishin tentuar që të destabilizonin Ballkanin, Moldavinë, Ukrainën, BE-në, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Në njoftimin e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se ata luajtën rol të rëndësishëm në fushatën ruse për ta destabilizuar Moldavinë dhe për ta nxitur një kryengritje atje.

“Ata analizojnë vendet e cenueshme ndaj ndikimit dhe ushqejnë frikën që minon besimin në parimet demokratike në vendet e synuara,” thuhet në deklaratë.

Të sanksionuarit akuzohen për provokim, trajnim dhe mbikëqyrje të protestuesve në Moldavi me qëllim për ta rrëzuar presidenten Maia Sandu dhe qeverinë e re me prirje perëndimore, në fillim të këtij viti.

Sipas DASH-it Konstantin Sapozhnikov, njëri nga individët e sanksionuar, e kishte drejtuar grupin dhe gjithashtu organizoi komplotin për ta destabilizuar qeverinë moldave.

Gjashtë të tjerët që u sanksionuan nga ShBA-të janë: Yury Makolov, Gleb Khloponin, Svetlana Bojko, Aleksei Losev, Vasily Gromovikov dhe Anna Travnikova.

Në muajt shkurt dhe mars, mijëra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin moldav, Kishinau, kundër presidentes Sandu dhe qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Sandu dhe i kërkuan qeverisë t’i paguajë faturat e qytetarëve pas rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga vendimi i Rusisë për t’i ulur eksportet e gazit natyror në Evropë.

“Tentativat e Rusisë shfrytëzojnë shqetësimet e qytetarëve të këtyre vendeve, për t’i destabilizuar qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime për interesat e vetë Moskës. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara, së bashku me BE-në, të synojnë individë që përfshihen në aktivitete të tilla kundër qeverisë së Moldavisë“.

Kështu deklaroi nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson