Nuk dihet nëse ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, i ka bërë mirë llogaritë, kur të premten, hodhi firmën në një dokument, krahas atij të Rusisë, Sergei Lavrov. E kjo firmë, nuk është për diçka të thjeshtë. Bëhet fjalë por koordinim të politikës së jashtme të Serbisë me atë të Rusisë.
Më 23 shtator, Lavrov dhe Slakoviq, nënshkruan dokumentin e quajtur ‘Plani i Konsultimeve të dy ministreve për dy vitet e ardhshme’. Dokumenti u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ndaj këtij veprimi të Serbisë, e cila kokën mban nga perëndimi, por lëvizë drejt Moskës, foli sot ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Në një deklarim për imediate serbe, ai tha se askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment, duke theksuar se vendi i tij nuk e di saktësisht se çfarë përfshin marrëveshja që Serbia nënshkroi në Nju Jork.
Hill tha se presin të marrin sqarime në të ardhmen për dokumentin e nënshkruar.
“Ne sigurisht do të donim të dëgjonim një shpjegim se çfarë është ai dokument. Gjatë këtij sesioni në OKB, SHBA-të kishin bisedime të mira me Serbinë, kështu që ne dëgjuam për atë dokument vetëm pas kësaj dhe presim një shpjegim për të”, tha Hill.
Por, reagimi i ambasadorit Hill, nuk është i vetmi. Të tjera reagime kanë pasuar menjëherë pas nënshkrimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusi, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.
Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.
“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Stano në deklarim për REL.
Por, lajmi i marrëveshjes shkaktoi kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, e cilësuan marrëveshjen si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se marrëveshja është një shenjë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt Bashkimit Evropian dhe po e afron atë më pranë Moskës.
E ministri i Jashtëm i Serbisë Nikola Selakoviq, u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje me Rusinë.
I pyetur nga gazetarët se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon BE-së, Selakoviq tha më 25 shtator se “ata që nuk e kanë parë dokumentin, po e sulmojnë të njëjtin”.
“Gjithçka që ka të bëjë me kritikat dhe çështjet lidhur me këtë plan, janë kërkim i arsyeve për të sulmuar Serbinë dhe për ta qortuar”, tha ai.
Selakoviq deklaroi se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.
Selakoviq është në krye të diplomacisë serbe, në Qeverinë teknike, teksa Serbia pritet të formojë një Qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e prillit.