Serbia, me platformë të re për Kosovën

E publikuar: 30/04/2015 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikolliq, ka paralajmëruar se në fillim të muajit maj do ta paraqes platformën e re shtetërore për Kosovën.

Ai ka theksuar se askush nga Bashkimi Evropian nuk ia ka parashtruar si kusht Serbisë njohjen e Kosovës, por kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, siç ka thënë ai “gjithçka thyhet në Kosovë”.

Sipas tij, nga Serbia është kërkuar që të nënshkruhen marrëveshjet me Prishtinën, për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella dhe siç ka thënë Nikolliq “Gjermania nuk do të heqë dorë nga kjo” dhe tashmë ky është mendimi që dominon në Evropë.

“Menjëherë pas festës së 1 Majit, platforma do të duhej të gjendet në tavolinën e kryeministrit. Qeveria do të tregojë nëse ky plan është i realizueshëm ose jo. Më pas, ministrat do të vendosin formalisht se a do ta dërgojnë në Kuvendin e Serbisë atë propozim apo propozimin e ndryshuar”, ka theksuar Nikolliq.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Kosovës është se ajo është e pavarur dhe se e kanë mbështetjen e vendeve që e kanë njohur, ndërkohë që qëndrimi i Serbisë është një Kosovë me autonomi esenciale në kuadër të Serbisë. Me qëndrime të tilla të kundërta, sipas tij, nuk duket në horizont një marrëveshje përfundimtare.

Ai ka theksuar se Serbia i ka përmbushur kushtet për hapjen e kapitullit 34, por bisedimet me Bashkimin Evropian nuk po fillojnë.

“A na është imponuar kapitulli 35, në mënyrë që kurrë të mos hyjmë në Bashkimin evropian?”, ka pyetur Nikolliq, duke shtuar se, mbase dikush ka pritur që Serbinë do ta udhëheqin njerëzit që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Por, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Kosova gjithmonë është temë e Bashkimit Evropian.

Lidhur me pritjet e tij se çfarë përmbajë platforma, të cilën kryetari serb Nikolliq, ka paralajmëruar se do t’ia dërgojë qeverisë, Vuçiq thekson: “Kryetari Nikoliq është mjaft mirë i njoftuar me atë se çfarë kërkohet nga Serbia, ashtu siç edhe ne e dimë. Unë nuk e kam fshehur kurrë këtë nga ju dhe as qeveria. E keni dëgjuar (Frank-Walter) Steinmeier-in (ministër i jashtëm gjerman), qe thotë ‘jam i impresionuar me reformat në Serbi. Nuk kanë vërejtje për këtë”, tha Vuçiq.

Ai ka shtuar se është folur edhe për kushte të marrëveshjes më Kosovën.

“Ata kanë vërejtje lidhur me atë se a mundemi ne që të arrijmë marrëveshje për energjetikën dhe unë ia kam thënë kushtet me të cilat mundemi dhe ato me të cilat nuk mundemi”.

“Ashtu siç kanë menduar disa se mund të na e marrin gazivodën 100 për qind, kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk dua për këtë të bisedoj. Bisedojmë për ‘Parkun e paqes në Mitrovicë dhe bisedojmë për Bashkësinë e komunave serbe. këto janë tema dhe këto nuk janë sekret. Nëse mendoni se ka tema tjera për Kosovën, ju them se nuk ka”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq, Bojan al-Pinto Bërkiq nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, vlerëson se ajo që propozon kryetari serb Nikoliq, nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Por, megjithatë, sipas tij, duhet pasur parasysh shumica e pikave të kësaj marrëveshje nuk janë zbatuar.

“Në njëfarë mënyrë, Bashkimi Evropian po u bën presion Beogradit dhe Prishtinës, që të mos mbeten prapa me zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë që po flitet dhe për nj marrëveshje të dytë të Brukselit, përmes së cilës do të definoheshin disa çështje tjera”.

“Kryetari Nikolliq, duke e parë që nuk ka ardhur deri te zbatimi i plotë e marrëveshjes, propozon diçka që mundtë quhet si ‘perspektivë serbe’ e zbatimit të mundshëm të marrëveshjes së Brukselit”, tha Bërkiq.

Megjithatë, ka shtuar ai, kjo ‘perspektivë serbe’ nuk do të jetë e pranueshme për Kosovën, por as perspektiva e kësaj të fundit për zbatimin marrëveshjes, nuk është e pranueshme për Serbinë. Bashkimi Evropian, sipas tij, po përpiqet që t’i përafrojë këto dy perspektiva, raporton rel.

Ndryshe, kryetari serb Nikolliq, ka thënë se ideja thelbësore e platformës së re për Kosovën është se Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e saj. Gjithashtu ai ka thënë se Serbia do të propozoj “autonominë e Bashkësisë së komunave serbe, në kuadër të institucioneve të përkohshme të Kosovës, si dhe lidhjet institucionale me Serbinë”.