SBASHK-u: Kurti do protesta e greva, ia plotësojmë dëshirën në shtator

E publikuar: 28/06/2022 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka paralajmëruar protestë në shtator, pasi siç thonë, këtë po e kërkon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.Përmes një komunikate për medie, SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së kanë bërë gjithë angazhimet dhe nuk i kanë ndalur përpjekjet që kërkesat legjitime të anëtarësisë të gjejnë zgjedhje të pranueshme.

“Nga ana tjetër Kryeministri Kurti bashkë me ministra të Qeverisë së tij kanë vazhduar me qasjen e gabueshme ndaj sindikatave dhe i kanë ikur vazhdimisht dialogut. Duke u gjendur në këtë situatë e duke parë se Kryeministri Kurti nuk po qante kokën as pas letrave mbështetëse të ardhura nga kreu i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës e as protestës me mbi 18.500 pjesëmarrës, po në të kundërtën nisi t’u jepte vërejtje e këshilla lidhur me sindikalizmin”, thuhet në komunikatë.

“SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe. As këto nuk i bënë përshtypje Kurtit e as Qeverisë së tij”, thuhet më tej.