SBAShK për takimin me Nagavcin: Pa asnjë rezultat konkret

E publikuar: 03/12/2024 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se pas konferencës për media që kanë mbajtur sot, ministrja  Arbërie Nagavci  bashkë me  zv.ministrin Taulant Kelmendi  janë takuar në MAShT  me kryetarin e BAShK-ut Rrahman  Jasharaj, nënkryetaren  Vjollca Shala,  sekretarin e përgjithshëm Ymer Ymeri  dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri.

Në njoftimin e kësaj sindikate thuhet se ky ishte një takim i shkurtër dhe sipas tyre, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

SBAShK ka ripërsëritur se nesër do të mbahet protestë dhe siç thuhet, Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale.

“Ishte ky takim i shkurtër dhe ka përfunduar pa as edhe një rezultat ngase Ministrja Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedoj konkretisht për kërkesat  legjitime të anëtarësisë që SBAShK i ka bërë publike  tani e sa kohë”.

“SBAShK shpreh keqardhje për këtë qëndrim të Ministres Nagavci  dhe prandaj  nesër do të mbahet protesta  e 4 paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale.  SBASHK uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dy palët”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.