Sardi: Italia e gatshme ta ndihmoi Kosovën në agjendën evropiane

E publikuar: 06/11/2017 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane,  Blerta Deliu- Kodra, priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Në fillim të këtij takimi, ambasadori italian ka uruar kryetaren e komisionit Deliu- Kodra për marrjen e detyrës së re si kryetare e këtij komisioni. Ndërsa, kryetarja Deliu- Kodra fillimisht ka falënderuar ambasadorin Sardi  për mbështetjen e Italisë dhënë Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Po ashtu, kryetarja e njoftoi ambasadorin për punën dhe prioritetet e Komisionit për Integrime Evropiane, që ndërlidhen me mbikëqyrjen e përmbushjes së kritereve për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe me mbikëqyrjen e përmbushjes së obligimeve nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, pasi që përmbushja e këtyre obligimeve nga ana e institucioneve të Kosovës  do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast, ambasadori Sardi shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të mbështetur Kosovën në agjendën evropiane.