Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit Naser Osmani, shqyrtoi kërkesën e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për mjete shtesë buxhetore për vitin 2016.
Këtë kërkesë para anëtarëve të komisionit e paraqiti dhe arsyetoi drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, i cili fillimisht sqaroi se ajo ka ardhur për shkak të ngjarjeve të paparashikuara sportive.
Me këtë rast, ai përmendi shpenzimet për blerjen e të drejtave sportive nga ana e RTK-së, të cilat janë rritur pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Po ashtu, ai tha se edhe rritja e çmimit të transmetimit të lojërave olimpike, ku mori pjesë edhe Kosova, ka bërë që shpenzimet financiare të shtohen ndjeshëm.
Duke paraqitur një listë të gjerë kërkesash buxhetore, Shala vuri në spikamë shumën prej 3,763,692.22 euro, për të cilat tha se RTK-ja ka nevojë që të mbulojë ngjarjet sportive me karakter ndërkombëtar, e në të cilat Kosova merr pjesë.
Në kuadër të shumës së kërkuar, ishte paraparë edhe shlyerja e borxheve të vjetra të RTK-së, shpenzimet komunale vjetore, shpenzimet vjetore për personel, si dhe shpenzime të tjera të këtij transmetuesi publik.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se transmetimi i lojërave ndërkombëtare në të cilat Kosova merr pjesë paraqet interes të gjerë publik, megjithatë, vlerësuan se shuma e kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së është shumë e lartë dhe e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Andaj, lidhur me këtë, ata vendosën që Ministrisë së Financave t’i rekomandohet ndarja e vetëm 400 mijë eurove për të përmbushur programin sportiv të RTK-së.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe tri projektligje: Projektligjin për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Kosovës dhe amendamentet e Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për kamatëvonesën në transaksionet tregtare me amendamentet e Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe Projektligjin për Shërbimin Mjekësor Emergjent me amendamentet e Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, me rekomandimin se, ky Projektligj bartë kosto të papërballueshme financiare.