Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa – Remi, mbahet mend për përkrahjen e vazhdueshme që ai i kishte dhënë jetësimit të koalicionit PDK-LDK, por a mendon ai se ky ende është koalicioni i duhur kur dihet gjendja aktuale politike në Kosovë?
Ish-komandanti i UÇK’së njihet për raportet e tij të mira me anëtaret e LDK’së, dhe gjithmonë kishte përkrahur krijimin e koalicionit nga dy partitë me të mëdha, që tani po qeverisin vendin.
“Koalicioni PDK-LDK ishte zgjedhja më logjike për zhvillimin e vendit dhe për marrjen e vendimeve të rëndësishme në atë kohë,” ka thënë ish-komandanti i UÇK’së dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në emisionin “Komiteti”, drejtuar nga Berat Buzhala, prodhim i Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini.
Sipas Remit – i cili nuk është më pjesë e Kuvendit, pasi që kishte dhënë dorëheqje për shkak të akuzave ndaj tij – marrja e vendimeve të rëndësishme shtetërore, si krijimi i Gjykatës Speciale, demarkacioni, krijimi i ushtrisë, edhe mund ta ulin reputacionin e partive në pushtet, por kjo mund të ndryshojë me riformatizimin e thellë të sistemit qeverisës, para zgjedhjeve. /Express/