Rritja e çmimit të energjisë – Dakaj: Katër vitet e fundit janë bërë pazare të mëdha me mafinë energjetike

E publikuar: 21/05/2025 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari Shkëlzen Dakaj, i ftuar në emisionin Debat Plus, ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ishte rezultat i presioneve politike dhe publike, duke zbuluar detaje të reja për procesin e vendimmarrjes dhe rolin e grupeve të interesit.

Sipas Dakajt, KESCO kishte kërkuar një rritje prej 35%, mirëpo pas diskutimeve dhe ndërhyrjeve të ndryshme, u vendos që rritja për të gjithë konsumatorët të jetë 16.1%, ndërsa pjesa tjetër të devijohej nëpërmjet tregut të hapur dhe zbatimit të Ligjit për Derregullimin e Tregut të Energjisë, një obligim ndërkombëtar për Kosovën.

“Rritja reale, edhe që ka qenë e domosdoshme, ka qenë 26%, mirëpo është bërë kompromis që 16.1% t’u ngarkohet të gjithë konsumatorëve, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet në tregun e lirë,” – u shpreh Dakaj.

Ai theksoi se kjo metodë e rritjes së çmimit po ndodh në një kohë kur sektori energjetik është i mbuluar nga skandale dhe dyshime për korrupsion të madh:

“Një pjesë e madhe e mediave dhe gazetarëve që e kemi ndjekur këtë sektor, kemi faktuar se në katër vitet e fundit janë bërë pazare të mëdha me mafinë energjetike. Sot kemi hetime, njerëz të akuzuar dhe shumë që ende nuk kanë dalë në dritë,” tha ai.

Dakaj foli edhe për kompaninë e përfolur NOA Energy, për të cilën theksoi se vetëm në tri vitet e fundit ka përfituar 262 milionë euro nga importi i energjisë, ndërsa theksoi se dokumentacioni zyrtar për tregtinë e KEK-ut është siguruar vetëm për vitin 2021.

“NOA Energy ka tregtuar me dy kompani, një në Shqipëri dhe një në Kosovë, por ende nuk dihet saktësisht kostoja e energjisë që është futur në treg,” – theksoi Dakaj.

Ai paralajmëroi se, ndonëse vetëm 16.1% e rritjes do të përballohet direkt nga qytetarët, në realitet e gjithë rritja prej 26% do të shpërndahet përmes rritjes së kostove nga bizneset që do ta përfshijnë atë në çmimet e shërbimeve dhe produkteve.