Rritja e akcizës së duhanit nga Qeveria e Kosovës po cilësohet nga KADC si jo-efektive dhe e pamjaftueshme për të arritur objektivat shëndetësore

E publikuar: 30/07/2020 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, KADC ka reaguar ndaj rritjes së akcizës së duhanit të miratuar dje nga Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar si tepër tëulët, jo-efektive dhe që, sipas KADC, nuk ndikon në zvogëlimin e konsumit të duhanit dhe prevalencës së duhanpirjes.


Rritja prej 1 euro në vit për një kilogram duhan për vitin 2020 dhe 2021 apo 2 cent për një pako të duhanit është e papërfillshme në raport me çmimin e shitjes së një pakoje duhani dhe i mundëson industrisë së duhanit që të ruaj tregun e saj të shitjes dhe konsumatorëve. Kjo rritje ndikon fare pak ose
aspak në çmimin e cigareve dhe si e tillë nuk i shërben qëllimit shëndetësor për uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës.


Kosova vazhdon të jetë vendi me akcizën më të ulët të duhanit në rajon dhe në Evropë, me 47 euro për kilogram, përderisa në Mal të Zi vlera minimale e kësaj akcize është 62 euro, në Serbi 67 euro dhe në BE90 euro për një kilogram duhan.


Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmërisht të përcaktoj një rritje prej 5 euro në vit të akcizës së duhanit për tre vitet e ardhshme. Vetëm në këtë mënyrë konsumi dhe prevalenca reduktohen në masë të dëshirueshme, sidomos tek të rinjtë dhe te grupet e popullsisë me të ardhura të ulëta dhe të mesme që janë më të ndjeshme ndaj taksave dhe çmimeve. Kjo rezulton në reduktim të pabarazive shëndetësore dhe varfërisë që lidhet me duhanin.


Sistemet e taksave të duhanit dhe administrimi i tyre duhet të jetë efikas dhe i strukturuar që të sigurojë që niveli i të ardhurave tatimore të rritet dhe njëkohësisht të arrihen objektivat shëndetësore.


“Rritja e taksave të duhanit është veçanërisht e rëndësishme për mbrojtjen e të rinjve nga nisja ose vazhdimi i konsumit të duhanit të cilët janë shtresa më e ndjeshme e popullatës dhe që mbrohen më së miri nëpërmjet çmimit të lartë të duhanit. Të gjitha hulumtimet kredibile tregojnë se për çdo rritje të akcizës për 10 %, ulet konsumi për 4 %. Ky ndikim është edhe më i madh tek të rinjtë dhe tek shtetet me të ardhura më të ulëta”, bëhet e ditur në njoftimin e KADC.