Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “nuk do të ishte i lumtur” nëse Koreja e Veriut kryen një provë tjetër bërthamore, e cila do të ishte e gjashta me radhë.
Koreja e Veriut, e cila po bën përpjekje të zhvillojë një raketë me rreze të gjatë, me kapacitet për të arritur kontinentin e SHBA-së 9,000 kilometra larg, ka kryer të shtunën një test të ri raketor, por Koreja e Jugut ka thënë se ai ka dështuar.
Nëse lideri verikorean, Kim Jong Un, kryen test të ri, nuk do të isha i lumtur, tha Trump për televizionin CBS.
“Mund t’ju them se as presidenti i Kinës, i cili është një burrë i respektuar, nuk do të ishte i lumtur”, shtoi ai.
I pyetur nëse kjo do të thotë se SHBA mund të ndërmarrë “veprime ushtarake kundër regjimit verikorean, Trump tha: “Nuk e di, do të shohim”.
Trump e përshkroi Kim Jong Unin si “person të zgjuar”, por tha se SHBA nuk mund të lejojë që Koreja e Veriut të zhbillojë armë bërthamore dhe fajësoi administratat e mëparshme amerikane për mostrajtimin e ambicieve ushtarake të Phenjanit.
Phenjani ka bërë testin raketor të shtunën, vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka paralajmëruar Kombet e Bashkuara për “pasoja katastrofike” nëse komuniteti ndërkombëtar, e veçanërisht Kina, nuk i bëjnë presion Koresë së Veriut për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore.Tensionet në rajon janë rritur së voni dhe të dyja Koretë bëjnë stërvitje të vazhdueshme ushtarake.
Amerika ka dërguar luftanije në rajon, ndërsa ka nisur edhe instalimin e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut.
Të dielën, përmes një artikulli në agjencinë shtetërore të lajmeve KCNA, Phenjani i kërkoi SHBA-së të “meditojë mbi pasojat katastrofike që do të sjellin provokimet e saj të pamenduara ushtarake”.
Sot, Japonia ka dërguar luftanijen e saj më të madhe Izumo për të shoqëruar një anije amerikane që do të furnizojë flotën detare në rajon.
Anija Izumo, e gjatë 249 metra, mund të bartë deri në nëntë helikopterë.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo tha se anija është nisur nga baza Yokosuka në jug të Tokios, për t’iu bashkuar anijes amerikane të furnizimit dhe për ta shoqëruar atë në Shikoku, në perëndim të Japonisë.
Izumo është luftanija e parë që aktivizohet, jashtë stërvitjeve, në bazë të një ligji të ri, të miratuar në vitin 2015, i cili i lejon Japonisë t’i dalë në ndihmë një aleati.
Kritikët thonë se ky ligj shkel Kushtetutën paqësore të Japonisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Ata po ashtu thonë se ligji mund ta dërgojë vendin në luftëra të panevojshme./REL/