Dy ditë pas protestës së punëtoreve të KEDS-it, të cilët u larguan nga puna nga kjo kompani, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo parti në mesditën e së premtes ka mbajtur konferencë për media, ku ka shprehur shqetësimin e saj për largimin nga puna të 95 punëtorëve nga KEDS-i, duke thënë se ky largim i punëtorëve është rezultat i privatizimit të keq i këtij aseti ekonomik.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, para mediave ka folur për gjendje e rëndë të papunësisë në Kosovë, dhe për pasojat e privatizimit kompanive në Kosovë.
Ai tha se punëtorët në Kosovë po trajtohen si skllevër.
Topalli deri sa fliste për pasojat e kompanive që u privatizuan, theksoi që në kohën kur Kosova është në një krizë të madhe ekonomike, 100 punëtorë kanë ardhur nga Rumania për të kryer punë të cilat mund ti kryejnë edhe qytetarë të Kosovës. Ai tha se priten edhe 200 punëtorë të tjerë nga ky vend, e që sipas tij një gjë e tillë është e patolerueshme.
Topalli ka kërkuar nga qeveria që të angazhohet për mbrojtjen e vendeve të punës dhe respektimin e kontratave kolektive e individuale.
E kategoria më e diskriminuar sipas Topallit janë kategoria e punëtoreve të cilët janë duke e bërë zhvillimin ekonomik të Kosovës.