Reagon Kurti: Deklarata e Vuçiq për Urën e Ibrit “paraprinë” një sulm të planifikuar nga Serbia

E publikuar: 06/08/2024 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit deklaroi se shqiptarët po marshojnë në drejtim të Urës së Ibrit.

Kurti, me anë të një postimi në platformën ‘X’, deklaroi se ky është pretendim i rrejshëm i Vuçiqit, që po synon të krijojë “atmosferë frike” dhe “të shkaktojë reagim nga KFOR-i”.

“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë (Urën e Ibrit), presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë një gjë të tillë.”

“Asnjë shqiptar s’ka marshuar mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendës i një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë.” – ka deklaruar Kurti.

Serbët kanë paralajmëruar protestë nesër, në kundërshtim të hapjes së Urës së Ibrit.