Rama për komisionin antikorrupsion: Do jetë i përhershëm, i vlefshëm për negociatat

E publikuar: 27/11/2024 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë sot në punimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin, ku u diskutuan çështjet dhe sfidat e lidhura me pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama theksoi se komisioni do të jetë i përhershëm gjatë gjithë periudhës së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE  dhe siç u shpreh ai, do të jetë një instrument kyç për avancimin e këtij procesi.

Rama e përshkroi komisionin si një “front institucionesh që përfaqësojnë tre pushtetet,” duke nënkuptuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

“Në momentin që komisioni do të jetë permanent në kuvend dhe pikë referimi për institucionet dhe për të treja pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ky komision është instrument i pazëvendësueshëm për procesin e anëtarësimit dhe negociatave, sepse atje shkojmë si front institucionesh që përfaqesojmë 3 pushtetet”, u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar shtoi se komisioni do të ketë rol të rëndësishëm në zbatimin e detyrave të shtetësisë dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE për anëtarësim.

“Shumëkush dhe gjithmonë, sa herë që ka një iniciativë të re ngrihet dhe thotë: tani u kujtuat ju. Ne nuk jemi kujtuar tani, por jemi kujtuar që ditën e parë që kemi marrë detyrën. Në çdo hap të rrugës ka sfida të reja dhe nga ana tjetër çdo hap kërkon kohën e vet dhe forcën e vet”.

“Për të kuptuar mirë, për sa kohë përshtatja jonë është BE, atje volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh se sa volumi i punës që bëjmë, por është dhe i panegociueshëm. Ata thonë negociata, por në fakt nuk janë negociata, janë detyra shtëpie që duhet t’i bëjmë, sepse ne duhet të hyjmë në shtëpinë e tyre dhe jo ata që duhet të hyjnë në shtëpinë tonë. Këto janë rregullat dhe këtyre rregullave ne u nënshtrohemi”, u shpreh tutje Rama./Euronews.al