Rama për Ballkanin e Hapur: Secili do të marrë pjesën e vet të asaj që i takon

E publikuar: 19/06/2022 21:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili po qëndron në Kosovë një ditë para mbledhjes së dy qeverive, veç premtimeve për heqjen e tarifave doganore, ka folur edhe për Ballkanin e Hapur.

Ai tha se me këtë ide, secili do ta merrte atë që i takon.

”Është shumë për të qeshur dhe për të qarë kur Ballkanin e Hapur, e trajtojnë si një instrument që do marri Serbia tregun. Por, po të shikosh volumin tregtar të Serbisë, rritjen më të madhe e ka këtu. Pavarësisht gjithë pengesave, problemeve, dhe gjithë marrëdhënieve që janë dhe në këtë rast përgjegjësia është në anën e Serbisë është në anën e Kosovës. Praktikisht volumi më i madh tregtar është këtu dhe rritja më e madhe është këtu”, tha Rama.

”Pra, nuk është çështja se Ballkani i Hapur do bëjë ndonjë gjë tjetër përveç se do krijojë hapësirë shumë më të madhe për të gjithë. Do të zgjerojë shumë më tepër frymëmarrjen ekonomike për të gjithë, dhe secili do të marri pjesën e vet të asaj që i takon. Ti nuk mund të nisesh si e si të pengosh tjetrin, pavarësisht se për vete mund të vuash shumë më tepër. Ti duhet të nisesh si e si të fitosh për vendin tënd, pastaj të tjerët të fitojnë pjesën e tyre. Kjo nuk është diçka që duhet ta pengosh, apo që do duhej të ishte shqetësimi yt fare”, shtoi ai.

Sipas tij ‘Sa më mirë të jenë ekonomikisht fqinjët, aq më mirë shkojnë punët edhe në drejtimin politik’.