Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, duke thënë se procesi i numërimit të votave po shkon në rregull, raporton Ekonomia Online.
“Të gjitha përgatitjet janë bërë që numërimi me shku në rregull edhe në shpresojmë që me këtë tempo numërimi do të përfundojë deri kah fundi i javës eventualisht në mesin e javës tjetër”, ka thënë ai.
Radoniqi, ka thënë se deri më tani nuk kanë pas probleme në qendrat e numërimit, duke shtuar se vetëm në Vushtrri ka pas problem me lidhje të internetit gjë që është sanuar menjëherë.
“Deri më tani nuk kemi pas asnjë problem. Në Vushtrri vetëm një problem me lidhjen e internetit dhe është sanuar dhe numri ka vazhduar në rregull. Kontrolli është pak më i lartë. Procesi deri më tani nuk ka probleme dhe nuk kemi ankesa nga asnjëra palë”, ka shtuar Radoniqi.
Deri në orën 12:00, në Prishtinë janë numëruar 16 nga gjithsej 262 vendvotime.
Ndërkaq, në nivel vendi, deri në të njëjtën orë janë numëruar 558 nga 2,498 vendvotime.




























