Kuvendi
Pas dërgimit të Projektligjit për Pagën Minimale në Gjykatën Kushtetuese, Presidenca ka bërë me dije se ligji në fjalë nuk do të dekretohet pa e dhënë fjalën e saj Kushtetuesja.
Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar shefen e shtetit për dërgimin e këtij ligji për shqyrtim.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se presidentja nuk do ta nënshkruaj ligjin para se të kryhet shqyrtimi.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka deklaruar Kupina.
Dërgimi i këtij ligji në Gjykatë Kushtuese duket se nuk i ka pëlqyet partisë në pushtet. Shumë zyrtarë të lartë të kësaj parti kanë kritikuar opozitën për këtë veprim.Përveç shumë deputetëve ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai ka akuzuar opozitën se për dhjetë nuk e ka ngritur pagën minimale, ndërsa tani kur është ngritur po tentohet të bllokohet.“80,985 persona paguhen më pak se 264 euro në muaj. Janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë e shumë të tjerë që me padurim presin rritjen e pagës minimale. Por, ata që për më shumë se një dekadë e lanë pagën minimale në 130/170 euro, sot e paskan dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale, për ta kundërshtuar rritjen që ka propozuar Qeveria Kurti”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kjo dëshmon urrejtjen e opozitës.
“Pra lëre që ata vetë nuk e rritën pagën minimale sa ishin në pushtet, por tash kur ne e rritëm, po tentojnë që me çdo kusht ta bllokojnë. Pse vallë kanë kaq shumë urrejtje?!”, ka shkruar ai.
Në fillim të kësaj jave, edhe përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së i kanë kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që të mos e dekretojë këtë ligj.E para e vendit, në takim që e ka pasur me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së është zotuar se do të analizohet Ligji për Pagën Minimale.
“Presidentja i mori me shkrim ligjet ku duhet të zbatohet, i them që ta luajë rolin e unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar që të shkaktojë përçarje, godit UÇK-në, krijo përçarje, e fitoi vota.”, ka deklaruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, pas përfundimit të takimit.
Opozita pretendon se ka të drejtëShefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar dje në Gjykatë Kushtetuese Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Pas dorëzimit të lëndës në Kushtetuese, Tahiri ka treguar arsyet e kontestimit të këtij ligji.Sipas tij, projektligji në fjalë nuk ka ndonjë ndikim në jetën reale.
“Në kërkesën tonë për vlerësimin e kushtetutshmërisë, i kemi adresuar tri çështje kryesore; e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për Pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qenërisë së Kosovës, e dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson”, ka thënë Tahiri.
Ai është shprehur i bindur se gjykata do t’i jep të drejtë atyre.
“Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale, të na tregojë se kush e ka pagën 260 euro, pra ky ligj nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka asnjë pagë nën 260 euro në sektorin privat. E dyta lidhet me dinjitetin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe për kategoritë e cenueshme siç janë të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët”, është shprehur Tahiri.
Një dite më parë edhe për PDK-ja ka dërguar lëndë në Gjykatës Kushtetuese, ku ka kërkuar anulimin e seancës së 13 korrikut, që nënkupton edhe anulimin e Projektligjit për Pagën Minimale.