Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se projekt-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do t’i dërgohet Kuvendit brenda pak kohësh për votim.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa më shpejt dhe institucionet e Kosovës, sipas tij, nuk guxojnë të rrezikojnë rrugën e integrimeve evropiane.
Abdullahu tha se njëkohësisht Kosova nuk mund të ‘heq dorë nga zotimi për marrëdhënie të mira me fqinjët’.
Projekti ligji u tërhoq nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit shtator, pas kundërshtimeve të fuqishme të opozitës, ndërsa Qeveria tha se “po kërkon pajtim në shkallë të gjerë” për ta riproceduar në Kuvend.
“Qeveria do ta riprocedojë projekt-ligjin për demarkacionin. Është çështje e rëndësishme sa që nuk na jep komoditetin, relaksimin si Qeveri për ta prolonguar. Sepse siç e dini, ajo është lidhur në forma të ndryshme drejtpërdrejtë apo tërthorazi me çështje të rëndësishme, si liberalizimi i vizave apo integrimet evropiane, normalizimin e raporteve tona me fqinjët. Marrë parasysh të gjitha këto, konsiderojmë se nuk do këtë ketë prolongime të pajustifikueshme”, tha Abdullahu.
Ai tha se ekziston një vullnet i mirë i palëve në koalicion që kjo çështje të procedohet dhe të përfundojë sa më shpejt dhe shfaqi shpresën se edhe me partitë politike opozitare do të arrihet një ‘gjuhë e përbashkët që çështja të përfundojë’.
“Ne konsiderojmë se kur do t’i kemi të gjitha kushtet dhe rrethanat që do ta mundësojnë një gjë të tillë, ne do ta procedojmë sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi Abdullahu.
Përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në Kosovë kanë paralajmëruar vazhdimin e takimeve në kuadër të përpjekjeve për harmonizimin e një deklarate të përbashkët rreth marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Takimi pritet të lehtësohet nga Grupi Ballkanik për Politika, ku do të jenë të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik në Prishtinë.
Në anën tjetër, për partitë politike opozitare, versioni i Marrëveshjes së nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar me Podgoricën është i dështuar.
Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar planin e saj pesë pikësh, si propozim për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, dhe thotë se propozimi vjen si ‘rrjedhojë e nevojës për anulimin e marrëveshjes aktuale me Malin e Zi’.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se “marrëveshja aktuale është e pasaktë dhe e padrejtë” dhe ajo tha ai “duhet të jetë në përputhje me rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, me parimin e integritetit territorial të Kosovës dhe me parimin e fqinjësisë së mirë”.
Hapi tjetër, sipas Ymerit, është që Kuvendi i Kosovës ta themelojë “një komision gjithë partiak e mbipartiak, i cili do t’i trajtojë modalitetet juridike të një rishikimi të tillë”.
“Shënjimi i kufiri me Malin e Zi natyrisht që është i nevojshëm. Kosova duhet t’i ketë të shënjuar kufijtë e vet ndërkombëtar me marrëveshje bilaterale dhe veçanërisht sipas rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë të saktë dhe të drejtë, sipas parimit të respektit dhe njohjes reciproke të kufijve mes fqinjëve”, tha Ymeri.
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që “të kërkojë nga homologu i tij malazias rinegociimin rreth shënjimit të kufirit”, si dhe të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian “për një zgjidhje të drejtë të shënjimit të kufirit me Malin e Zi”.
Marrëveshja për demarkacionin, thonë analistët, vazhdon të ‘thellojë dallimet në skenën politike’, duke pamundësuar arritjen e ‘një pajtueshmërie që do të çonte’, siç thonë ata, ‘drejt normalizimit të punës së Kuvendit të Kosovës’.
Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet partive politike në pushtet dhe atyre të opozitës per marrëveshjen aktuale për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
“Nëse mendohet se zgjidhja do të gjendet duke e imponuar versionin aktual, duke provuar që kundërshtuesve të demarkacionit t’u mbushet mendja dhe ta ngrenë dorën në Kuvend për ta votuar, besoj se kjo është një përpjekje e kotë. Kjo për shkakun se tash për tash e vetmja zgjidhje do të ishte që marrëveshja të rinegociohet dhe të shihet nëse mund të përmirësohet diçka”, tha Imeri.
Analisti Mushkolaj mendon se propozimet e fundit të dala nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, mund të ndihmojnë në daljen nga gjendja aktuale.
“Kjo pikërisht për faktin se nuk kam parë diçka që do të mund të ishte e pa realizueshme. Për këtë arsye, propozimet do të duhej të merreshin në konsideratë”, tha Imeri.
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u nënshkrua në gusht të vitit 2015 nga autoritetet në Prishtinë e Podgoricë, me praninë ndërkombëtare. Marrëveshja më pas u cilësua e papranueshme nga opozita, e cila e kundërshtoi brenda Kuvendit përmes përdorimit të gazit lotsjellës, por edhe jashtë tij përmes protestave.
Gjendja e krijuar politike në vend ka nxitur Grupin Ballkanik për Politika të ndërmarrë nismën për t’i ulur në një tavolinë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje, që do të vlerësohej edhe praktike por edhe e pranueshme.