Qeveria ndan nga 10 mijë euro për familjet e policëve të vdekur në aksidentin në Lepenc

E publikuar: 08/05/2018 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka marrë disa vendime.

Një nga këto vendime ka të bëjë me ndihmën financiare që shteti do t’u japë familjeve të dy policëve të vdekur në aksidentin e komunikacionit në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit 10 ditë më parë, duke rënë në lumin Lepenc.

Zyra e kryeministrit ka ndarë nga 10 mijë euro për familjet e policëve të vdekur, Armend Trena e Malsor Dashi.

Kryeministri ka thënë se ndihma është modeste por është dëshmi e përkrahjes se vazhdueshme për familjet e policëve që kanë mbetur pa ta, raporton KTV.

Në mbledhje u vendos që të bëhet rivarrimi i dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës në kompleksin memorial në Marinë, bartja e të cilëve do të bëhet nga Polaci.

Tutje, u mor vendimi edhe për themelimin e komisionit për hartimin e projektligjit për Qeverinë.

Ligji për Qeverinë është i nevojshëm që të definojë numrin e ministrive, Zv/kryeministrave e zv/ministrave./Koha.net/