‘Qeveri armike me biznesin’: Tabaku dëgjon mendimet e tregtarëve të vegjël rreth Medresesë

E publikuar: 28/10/2017 11:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me bizneset e vogla në zonën e Medresesë në Tiranë e në çdo derë që trokita shqetësimi ishin taksat e reja dhe vendosja e TVSH. Gjatë bisedës mësova se i gjithë kontrolli anti-informalitet i këtij viti qe drejtuar ndaj BV-ve duke i ngarkuar me gjoba të paprecendenta dhe të paarsyeshme. Një sipërmarrës që me dyqanin e vogël siguronte një rrogë e gjysmë në mënyrë gjenuine dhe të lodhur më tha “nuk mbahet shteti me gjoba”, pastaj më tregoi se fruta-perimet që shiste qenë produkte që i vinin nga fshati dhe të donte nuk kishte ku t’i gjente fermerit një faturë TVSH-je.

Bizneset janë para dy zgjidhjesh ose do të rrisin çmimet ose do të ulin fitimet në kufijtë e mbijetesës. Këto biznese kanë pasur kosto shtesë për tarifa vendore 5 herë më të larta, kosto për të mbajtur një financier, konsum më i ulët, kosto më të larta transporti dhe energji elektrike të cilat po shndërrohen në pengesa të papërballueshme.

Edhe për kategorinë prej 0-2 mln lekë xhiro të bizneseve presin që çmimet të rriten sepse furnitorët e tyre do të preken nga TVSH. Në një mënyrë ose një tjetër efekti do të jetë zinxhir. Dhe kjo thjesht për një rritje të papërfillshme që shteti ia toleron biznesit të madh e oligarkut. Vendosja e TVSH-së tek BV nuk është një betejë për formalizimin e bizneseve, por është tentativa e radhës e një qeverie armike me sipërmarrjen.

Dy vjet më parë, paralajmëruam qeverinë se vendosja e niveleve të ndryshme të taksave për BV-në pa TVSH do të sillte copëzimin e bizneseve të tjera brenda skemës së TVSH. Në atë kohë nuk dëgjuan sot po duan të heqin vetullat dhe frika është se do të nxjerrin sytë. BV sot punëson 40% të shqiptarëve, një taksë e rëndë mbi ta do të thotë më shumë të papunë nesër.