Punëtorët e kompanisë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”, kanë kundërshtuar fuqishëm veprimet e Komunës së Prishtinës, që sipas tyre minojnë të ardhmen e KRM “Pastrimi”.
Kjo komunë ka bërë publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro.
Për këtë, sot në Kuvendin Komunal është mbajtur një sallë dëgjimore me punëtorët e kësaj kompanie.
Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal, Leutrim Retkoceri ka thënë se kryetari duhet të ballafaqohet me kërkesat e qytetarëve.
“Nuk është mirë qytetarëve t’iu kthehet shpina, duhet të ballafaqohen me kërkesat e qytetarëve. Një apel për zyrën e Kuvendit dhe të Komunës më njoftuan që mbledhja nuk është duke u incizuar me livestream në kanalin tonë të Komunës, kërkoj publikisht të publikohet dhe mos të pengojnë dëgjimin publik”, ka thënë Retkoceri.
Punëtori i KRM-së, Sadat Rutkovci ka apeluar tek kryetari që të mos luajnë me ndjenjat e punëtoreve.
Sipas tij, kryetari rrezikon mirëqenien e 900 punëtoreve që mbajnë familje.
Duke shtuar se Qeveria Gjermane ka ofruar donacion Kosovës 20.4 milionë, por ai shtoi se nuk ka gatishmëri të Kosovës ende.
“Desha ta bëjë një kërkesë dhe apel, ta keni parasysh jeni duke luajtur me ndjenjat e punëtorëve nuk është e lehtë 900 të punësuar. Çështja e mbeturinave për një afat 10 vjeçar merr kahjen e duhur keni parasysh 900 punëtor nga dy anëtarë në familje i bie 1800 që mbesin pa bukë. Mos e shkatërroni kompaninë e pastrimit, vota keni marrë prej qytetarëve të këtij vendi, nuk ju ka sjellë lejleku. 20.4 milionë euro nga Qeveria Gjermane kanë ofruar donacion për Kosovën ata janë të gatshëm të na japin makineri të reja të cilat sigurohen për 10 vite. Krim më të madh vetëm në luftë kemi pasur”, ka thënë punëtori.
Punëtori, Faik Gashi ka kërkuar përgjegjësi nga kryetari për 10 kamiona të cilat nuk kanë ardhur ende.
“Do të doja të ishte kryetari këtu. Para një viti na ka premtuar për 10 kamionë. Ku mbesim ne dhe kush jep përgjegjësi. Ata kampionë ende nuk kanë ardhur”, ka thënë Gashi.
Dukuri të tilla sipas punëtorit, Gani Sopi nuk do të duhej të ndodhin.
Sopi ka theksuar se duhet të ndryshohet rregullorja në interesin e qytetarit.
“Pikë së pari jemi qytetarë pastaj punëtor, unë nuk kam pritur që mos me qenë përgjegjës ata që e kanë obligim institucion. Nuk është dashur nuk pas luftë të ndodhin dukuri të tilla. Mirëpo, edhe pas lufte edhe me ligjin. Nëse këta dinë me dredhë, por si guxon të mos vijnë të japin përgjegjësi. Situata më e rënduar është regjioni i Prishtinës. Rregulloren duhet të ndryshohet me u bë ashtu siç duhet për të shërbyer në interesin e qytetarëve”, ka theksuar Sopi.
Ky dëgjim është iniciuar nga Kuvendi i kryeqytetit.
Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi” Petrit Reçica, ka reaguar dje ndaj kryetarit Përparim Rama dhe drejtorit të shërbimeve Publike Bekim Brestovci, të cilët sipas tij janë duke e dërguar këtë ndërmarrje në falimentim.
Ai në “Facebook” ka shkruar se komuna po kontrakton kompani private për mbledhjen e mbeturinave, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e KRM “Pastrimi”.
Reçica, tha se janë 900 punëtorë që rrezikojnë të mbesin pa paga.