Punët e vjetra të legjislativit të ri

E publikuar: 06/11/2017 09:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Blerim Latifi, këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka thënë se legjislativi paraprak ka kaluar nëpër një situatë të pazakontë për logjikën e veprimit demokratik kurse, sipas tij, agjenda e legjislativit të ri është tejet e ngjeshur me punët e vjetra, një ndër to edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se temat e mbetura pezull domosdoshmërisht duhet të përmbyllen.

Sipas Latifit, qytetarët dhe vendi janë duke pësuar shumë nga gjendja e stagnimit politik dhe atij ekonomik.

Ai ka theksuar se platforma e kryeparlamentarit Veseli në mandatin e ri të drejtimit të Kuvendit bazohet në qëllimin për ta kthyer këtë institucion në një forum të debatit të mirëfilltë legjislativ dhe për ta reduktuar hapësirën e tendencave të deformimit të parlamentarizmit.

Në këtë intervistë Latifi ka folur edhe për rezultatin e PDK-së në zgjedhjet lokale dhe për garën e balotazhit që kjo parti do ta ketë më 19 nëntor.