Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar/Kosovo Center for International Cooperation (QKBN/KCIC), ka bërë të ditur se platforma për komunikim të qytetarëve dhe institucioneve lokale në Gjilan, behupjese.org është e disponueshme për publikun.
Përmes kësaj platforme do të pasqyrohen në vazhdimësi aktivitetet e Komunës së Gjilanit si dhe do të informohet publiku për të drejtat, përgjegjësitë dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në proceset vendimmarrëse.
Kjo platformë vjen si rezultat i zhvillimeve të hovshme të internetit dhe teknologjisë informative, duke bërë që grupe më të mëdha të komunitetit ta kenë më të lehtë qasjen në informacion, si dhe duke parë që, ndër problematikat me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen institucionet lokale është hendeku i krijuar i komunikimit qytetar/institucione dhe pjesëmarrjes së ulët të publikut ne vendimmarrje, e që ndërlidhen direkt me shërbimet komunale, transparencë dhe llogaridhënie.
Përmbajta e platformës është unike, e punuar me kujdes, dhe ofron mundësi të shumta të komunikimit interaktiv, duke integruar mjaft mirë edhe mediumet tjera, siç janë rrjetet sociale, dhe kështu duke bërë që informacioni për publikun të jetë më lehtë i qasshëm.
Përmes kësaj platforme, qytetarët do të mund të komunikojnë në vazhdimësi me të zgjedhurit e tyre në nivelin lokal në Gjilan, do të mund të ngritin çështje me rëndësi për diskutim publik si dhe mund të raportojnë parregullsi të ndryshme.
Përmes platformës behupjese.org, publiku do të njoftohet në vazhdimësi për aktivitetet kyçe të Komunës së Gjilanit, në veçanti procesin e hartimit të buxhetit dhe planifikimin e investimeve kapitale duke u dhënë përparësi qytetarëve që në mënyrë elektronike të propozojnë dhe rekomandojnë për investime në interes të përgjithshëm.
Platforma behupjese.org, për herë të parë është publikuar më 26 tetor dhe përgjatë kësaj kohe, është testuar në stabilitet dhe funksionalitet të teknologjisë së aplikuar, dhe me sukses ka kaluar testet e deritanishme. Është e disponueshme në Web: http://behupjese.org/, si dhe përmes aplikacionit të saj në Google Play Store, ndërsa, së shpejti platforma do të publikohet edhe në IOS.
Platforma behupjese.org është një ndër produktet e projektit “Rritja e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje në Gjilan duke aplikuar Mediet Sociale” që implementohet nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar/Kosovo Center for International Cooperation (QKNB/KCIC), financuar nga Ambasada e Amerikës, në Prishtinë. /infosot/