Prokuroria Speciale intervistoi gazetarin serb për rastin Ivanoviq

E publikuar: 27/06/2018 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Kosovës intervistoi të mërkurën gazetarin serb, Stefan Cvetkoviq, lidhur me vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Lajmin e konfirmoi Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Stefan Cvetkoviq është intervistuar sot në lokalet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ai, vetë, në mënyrë vullnetare, si gazetar hulumtues, kinse ka informacione, është lajmëruar që të vijë dhe sot ka dhënë një deklaratë”, tha Hoxha për REL.

I pyetur nëse Cvetkoviq ka dhënë ndonjë informacion konkret, Hoxha tha:

“Ka thënë diçka, sikurse çdo dëshmitar tjetër që vjen në Prokurori. Unë e falënderoj, por kjo nuk do të thotë se ka dhënë diçka kush e di se sa konkrete”.

Policia e Kosovës mori në pyetje gazetarin serb Cvetkoviq për zbulimet e tij rreth “rastit Ivanoviq”

Gazetari Cvetkoviq, kohët e fundit, ka përcjellë hetimet për vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq.

Ky i fundit është vrarë më 16 janar përpara zyrës së partisë së tij në qendër të Mitrovicës Veriore. Hetimet e deritashme nuk i kanë identifikuar autorët.

Stefan Cvetkoviq ishte zhdukur në natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit në qytetin Bella Cërkva të Serbisë, por është gjetur i gjallë nga policia serbe më 15 qershor.