PROFILE: Isa Mustafa vs. Vjosa Osmani- gara e dy kandidatëve që nisën bashkë dhe më s’i bashkon asgjë!

E publikuar: 30/05/2015 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ia nisën bashkë politikës. Që të dy, si Isa Mustafa, ashtu edhe Vjosa Osmani si këshilltarë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Më saktësisht më 2006, Isa Mustafa do t’i rikthehej politikës si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe si këshilltar i lartë i të parit të shtetit, derisa Vjosa Osmani do t’i hyj politikës gjithashtu si këshilltare e Fatmir Sejdiut, për marrëdhënie ndërkombëtare.

Pas saktësisht nëntë vjetësh, dy ish- këshilltarët e Fatmir Sejdiut, Isa Mustafa që përfundoi studimet në Kosovë, në fushën e ekonomisë dhe Vjosa Osmani që i përfundoi studimet e masgjistraturës dhe të doktoraturës në Universitetin e Pittsburgh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë, si bursiste nga Departamenti Amerikan i Shtetit, brenda pak orësh do ta sfidojnë njëri- tjetrin në garën për të parin e LDK-së, raporton Gazeta Blic.

Këta dy kandidatët që deri më tani edhe publikisht i kanë shpallur kandidaturat e tyre për kryetar të partisë së dytë më të madhe në  vend, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani deri para 5 muajsh, gjegjësisht deri në hyrjen e LDK-së në koalicion me PDK-në ishin ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë.

Osmani, pos që ishte e treta në listën zgjedhore të partisë në zgjedhjet e 8 qershorit, ajo ishte pothuajse në secilin takim që Mustafa e zhvillonte me partitë e koalicionit paszgjedhor, të ashtuquajtur Blloku LVAN. Rrugët e tyre u ndanë, ditën kur u arrit koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, raporton Gazeta Blic.

Isa Mustafa

Isa Mustafa, erdhi falë PDK-së e SHIK-ut në krye të LDK-së

I ardhur në krye të Komunës së Prishtinës për të dytën herë, më 2009, me një fitore absolute, pa pasur fare nevojë t’i hyjë balotazhit, Isa Mustafa do të bëhet një “hero” i LDK-së. Anëtarësia e LDK-së, Isa Mustafën do ta shohin si shpëtimtarin e partisë së tyre, e cila u nda në dysh, pas vdekjes së presidentit historik. Gjuha që ai përdori në këto zgjedhje, kundër PDK-së dhe sidomos kundër SHIK-ut të Kadri Veselit, Isa Mustafës ia hapi të gjitha rrugët në LDK, përballë një Fatmir Sejdiu, i cili edhe pse ishte lideri i kësaj partie, thjeshtë i nënshtrohej partisë së Hashim Thaçit.

Mënyra se si Isa Mustafa e zhvillonte fushatën, bëri që PDK ta shantazhoj LDK-në, madje me prishje të koalicionit, i njohur si rasti i Zanzi Barit…

Kjo retorikë e ashpër, e papërdorur nga askush deri më tani, ekonomistin e lindur në Prapashticë, e vuri në pozicionin më të favorshëm për të ardhur në krye të LDK-së.

Pos kësaj retorike, e cila e fuqizoi aq shumë tek anëtarësia e LDK-së, Mustafa, i cili kishte një përvojë të gjatë politike, duke qenë udhëheqës i qeverisjes komunale të Prishtinës nga viti 1984-1988, pra gjatë kohës së komunizmit, si dhe duke qenë ministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, dhe duke i vetëorganizuar disa protesta para partisë, kinse  anëtarësia po e kërkojnë atë për kryetar të partisë, arrin që të rrëzoj shefin e tij nga fronti, Fatmir Sejdiun.

Mustafa, më 7 nëntor të vitit 2010, në Kuvendin e shtatë të LDK-së, arrin ta mposhtë shefin e tij, në garën për të parin e partisë, i cili ishte në disavantazh për shkak të koalicionit që kishte bërë me PDK-në dhe për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli shkelës të Kushtetutës.

Ardhja e Mustafës megjithatë nuk i solli ndryshimet e pritura. Në zgjedhjet lokale të 2013, Isa Mustafa do të humb përballë Shpend Ahmetit. Pas vetëm 6 muajsh nga kjo humbje, Mustafa do të humb sërish në zgjedhjet nacionale, duke dalë partia e dytë, shkruan Gazeta Blic.

“Fishekët” kundër PDK-së e SHIK-ut duket se më nuk funksionuan, sidomos pas dy marrëveshjeve që i pati pikërisht me njëshin e PDK-së, Hashim Thaçin, për zgjedhjen e Jahjagës në krye të shtetit më 2011, dhe më 14 shkurt të vitit të kaluar, kur pavarësisht iniciativës së disa partive për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi 2, ai nuk e lejoi një gjë të tillë. Ai u ul në Ditën e Shën Valentinit me Thaçin dhe e arritën marrëveshjen si dy të dashuruar, që vendi të shkoj në zgjedhje me vetëshpërndarje të Kuvendit, e jo me rrëzim të qeverisë, duke e fuqizuar kështu PDK-në, cka doli se i kushtoi shumë në zgjedhje atij dhe LDK-së.

Akademiku i LDK-së, siç preferojnë ta quajnë servilët e tij, dukej se e kishte seriozisht rrëzimin e PDK-së nga pushteti.

Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të 8 qershorit, mblodhi liderët e partive opozitare,  AAK-së, Nismës dhe minoriteteve, e më vonë edhe VV-së për krijimin e një qeverie, ku PDK do të mbetej në opozitë.

Kjo situatë vazhdoi për pesë muaj (për shkak se PDK nuk lëshonte pe), derisa Isa Mustafa, edhe zyrtarisht e nënshkroi marrëveshjen e bashkëqeverisjes me  të “urryerit” e deri djeshëm, me PDK-në e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit.

Ky vendim i tij, duket se rebeloi dhe dëshpëroi anëtarësinë e partisë, një pjesë të deputetëve, duke dëshmuar kësisoj se qëllimi i tij nuk ka qenë ç’kapja e shtetit nga PDK e SHIK-u, por shpëtimi i vetvetes, gjegjësisht mos lëshimi i partisë dhe mbrojtja e interesave të tij të ngushta dhe të një  grupi të ngushtë.

Kjo tradhti që Mustafa ia bëri elektoratit të LDK-së, bëri që partia e krijuar nga Ibrahim Rugova, pas hyrjes në koalicion me PDK-në, nëpër sondazhe të dalë e treta, dhe kështu të jetë në pikën më të ulët si parti që nga ekzistenca e saj 25 vjecare.

vjosa-osmani

Vjosa Osmani, besnikja e anëtarësisë së LDK-së

Deputetja më e votuar femër në Kosovë, Vjosa Osmani, pos që koalicionin me PDK-në e kundërshtoi në këshillin e Përgjithshëm të partisë, ajo kundër e votoi edhe në Kryesi të partisë.

Dhe marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, përfundimisht bëri që Vjosa Osmani të distancohet nga kreu i partisë, duke refuzuar edhe postet e shumta ekzekutive që i ofroheshin.

Osmani deklaroi se ajo do ta respektoj vullnetin e anëtarësisë së partisë, dhe do ta kundërshtoj koalicionin me PDK-në. Ajo dhe një pjesë e deputetëve të kësaj partie, pos që nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, nuk do ta votojnë as Isa Mustafën për kryeministër, cka bëri që ky i fundit të rebelohet edhe në seancën e zgjedhjes së qeverisë, duke ua bërë me dije se këtë kurrë s’do t’ua falë deputetëve të partisë së tij.

Profesoresha e shkencave juridike, e cila ishte në ekipin mbrojtës të palës kosovare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, betejë të cilën e fitoi Kosova ndaj Serbisë, përkundër sulmeve që iu bënë pareshtur nga njerëzit e afërt të Isa Mustafës, nuk hoqi dorë në garën për të parin e partisë, raporton Gazeta Blic.

Pos përparësisë që ia jep mosha në krahasim me kundërkandidatin e saj, Isa Mustafën, 33 vjecarja nga Mitrovica, vazhdon që të prij bindshëm në sondazhet që po zhvillojnë mediet e ndryshme.

Madje, ajo është larg Isa Mustafës e kundërkandidatëve të tjerë të mundshëm.

Anëtarësia e LDK-së edhe nëpër rrjetet sociale vazhdon që ta mbështes fuqimisht Vjosa Osmanin për të ardhur në krye të LDK-së, si shpresa e vetme që ajo ta rikthej primatin e kësaj partie në vend.

Sondazhet e publikuara nëpër medie të organizatave të ndryshme, alarmojnë LDK-në për rënien e saj drastike pas hyrjes së Isa Mustafës në koalicion me PDK-në. Thuhet se LDK është partia e tretë, pas PDK-së e Vetëvendosjes më 13 për qind.

Dhe analistët politik, konsiderojnë se Vjosa Osmani, e cila u shkollua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është tash për tash personaliteti i duhur për ta ndalur këtë trend kaq negativ të kësaj partie, dhe për ta rikthyer këtë parti atje ku ishte deri më 2007.

Megjithatë, nesër është në dorën e 355 deputetëve të vendosin nëse do ta zgjedhin 64 vjecarin Isa Mustafa apo 33 vjecaren Vjosa Osmani për kryetar të LDK-së./ Gazeta Blic