Prodhuesit paralajmërojnë sërish derdhjen e qumështit, kërkojnë heqjen e produkteve me origjinë bimore nga tregu

E publikuar: 23/09/2020 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ndaljen e importit të produkteve me vaji të palmës po konsiderohet se nuk ka dhënë rezultate për prodhuesit vendorë.

Shoqatat e qumështit me këtë rast dhe kryetari i komunës së Rahovecit kanë kërkuar rishikimin e vendimit për tërheqjen e të gjitha produkteve me vaj palme nga tregu.

Prodhuesit paralajmërojnë sërish derdhjen e qumështit, pasi vazhdon të ketë teprica enorme të qumështit edhe pas vendimit të Qeverisë për ndaljen e importit të produkteve të qumështit me vaji të palmës.

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi thotë për KosovaPress se mbi 300 fermerë në këtë komunë rrezikojnë të falimentojnë për shkak, siç tha ai të produkteve të shumta në treg me vaji palme. Ai ka kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për heqjen nga tregu të produkteve me origjinë bimore.

Latifi: Të hiqen nga tregu të gjitha produktet me vaj palme

Video

“Unë kam kërkuar që jo vetëm të veçohen, por të korrigjohet vendimi dhe i kam kërkuar ministrit Vesel Krasniqi që të hiqen nga tregu produktet që prodhohen nga vaji i palmës që është me origjinë bimore. Pra, të hiqen tërësisht nga tregu, jo vetëm të veçohen e të ndahen, por edhe të hiqen tërësisht. Kjo duhet të ndodhë në krejt Republikën e Kosovës. Pra, qumështi jonë po derdhet, po refuzohet nga qendrat grumbulluese, nga qendrat e përpunimit ndërsa produktet me origjinë bimore dhe është bllokuar tregu dhe kanë vendosur para kolapsit sektorin e prodhimit të qumështit. Nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje, të gjitha investimet në bujqësi ndër vite po shkatërrohen, duke falimentuar ferma që veç në komunën Rahovecit janë mbi 300”, thotë Latifi.

Kryetari Latifi ka treguar edhe për inspektimet që kanë bërë në treg për zbatimin e vendimit të fundit, i cili sipas tij duhet të ndryshohet.

Por, me këtë vendim të fundit nuk po pajtohet as kryetari i Këshillit Koordinues për shoqatat e qumështit Ramadan Memaj.

Mamaj ka thënë për KosovaPress se ende nuk janë parë efektet e para të vendimit për ndalimin e importit të produkteve me origjinë bimore. Ai ka thënë se në ditët në vijim do të ketë derdhje më të madhe të qumështit nga fermerët për shkak të tepricave të mëdha.

Memaj: Nga java tjetër mund të ketë derdhje edhe më të madhe të qumështit

Video

“Në fakt, efektet e këtij vendimi në treg nuk po mund të vërehet fare, për shkak se prodhimet, të gjitha ashtu siç kanë qenë janë në treg. Nëse analizojmë se çfarë ka ndryshuar me këtë vendim deri më tani, nuk mund të themi se ka pasur ndonjë ndryshim, andaj, vazhdon që qumështi të derdhet nga fermerët në Kosovë. Vazhdon të ketë teprica enorme të qumështit të pa përpunuar në Kosovë. Ajo çka është më e keqja ekziston një trend që kjo sasi të rritet edhe më tutje. Pra, qysh nga java tjetër mund të ketë derdhje edhe më të madhe të qumështit vendor në Kosovë”, deklaron ai.

Ndërsa, Valon Hoti, inspektor i tregut në komunën e Rahovecit, thotë se operatorët ekonomikë kanë bërë ndarjen fizike të produkteve me origjinë bimore. Gjatë këtij inspektimi i pranishëm ishte edhe ekipi i KosovaPress.

Hoti: Operatorët ekonomikë kanë bërë ndarjen fizike për këto produkte

Video

“Në bazë të vendimit të fundit të nxjerrë nga MTI-ja, inspektorati i tregut në këtë komunë ka dalë në terren në këto ditë të fundit, ku jemi duke inspektuar operatorët e ekonomisë, se a kanë filluar të zbatojnë vendimin e fundit të MTI-së. Operatorët ekonomikë janë të obliguar dhe kanë filluar të bëjnë ndarjen e produkteve të qumështit me origjinë bimore prej atyre me origjinë shtazore. Tash veç jemi në një subjekt ekonomik, veçse e kanë bërë ndarjen fizike”, pohon Hoti.

Në vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili ka hyrë në fuqi më 15 shtator për ndalimin e importit të produkteve me vaji të palmës, në pikën 5 thuhet se ‘Obligohet Inspektorati i Tregut të obligojë operatorët ekonomikë të bëjë ndarjen e produkteve të qumështit me yndyrë bimore (vaj palme) prej atyre me origjinë shtazore”. /I. Shabani/