Prodhimi i pambukut në rritje, në Xinjiang të Kinës

E publikuar: 18/12/2021 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra Kombëtare e Statistikave në Kinë (NBS) bëri të ditur se prodhimi i pambukut në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur të Kinës veriperëndimore tejkaloi 5.1 milionë tonë këtë vit, duke mbajtur pozicionin kryesor të vendit për më shumë se dy dekada.

Ky vëllim përfaqëson 89.5% të prodhimit të përgjithshëm të pambukut në vend, përcjell “Xinhua”.

Xinjiang është renditur në vendin e parë në Kinë për më shumë se 20 vjet rresht për sa i përket prodhimit total, rendimentit për njësi, sipërfaqes së plantacioneve dhe shpërndarjes së produktit.

Sipërfaqja e plantacioneve të pambukut në Xinjiang në vitin 2021 arriti në 2.5 milionë hektarë, duke përbërë 82.8% të sipërfaqes kombëtare, sipas NBS. Rendimenti i pambukut në Xinjiang ishte mesatarisht 136.43 kg për mu, që është 10.26 kg për mu më i lartë se mesatarja kombëtare.

Falë kushteve natyrore unike, Xinjiang është baza më e madhe e prodhimit të pambukut me cilësi të lartë në Kinë dhe një prodhues kryesor i kësaj kulture në mbarë botën.

Që nga vitet 1990, prodhimi në vend është zhvendosur gradualisht nga pellgu i Lumit të Verdhë në Xinjiang, i cili ka dëshmuar kalimin në një kultivim të mekanizuar dhe inteligjent të këtij produkti vitet e fundit.

Zhvillimi i industrisë së pambukut ka përmirësuar jetën e fermerëve, punëtorëve të tekstilit dhe familjeve të tyre.