Pritet kundërsulmi i Ramës dhe arrestime

E publikuar: 30/10/2017 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rama duket se deri tani e përballoi me forcën e numrave besnikë në Kuvend, “sulmin” që pësoi për çështjen Tahiri. Kjo çështje duket se hyri në brazdën e vjetër të sistemit, ku ndërhyrjet do të bëjnë herët a vonë punën e tyre.

Prokuroria e humbi epërsinë që krijon befasia dhe kapja e papërgatitur e Shumicës, me rastin e ish ministrit të brendshëm dhe tani duket se, cilido të jetë fati i ministrit të brendshëm, numrat e Shumicës do të jenë një digë e qëndrueshme dhe pushtet mbajtëse. E çara e madhe që u hap, po kurohet me kujdesin e “mjekëve” të specializuar për këto raste, që qepin çdo plagë dhe arrnojnë çdo vrimë që është hapur në sistem. Pushteti kontrollues mbi mediat kryesore do të bëjë pjesën tjetër të punës, që të largohet me mjeshtëri vëmendja nga ish ministri dhe hallet e tija me Prokurorinë, të cilat me ndihmën dhe mbështetjen e pushtetit do të thjeshtohen shumë shpejt.

Tërmeti ishte i fortë dhe plot zhurmë, por u dëmtuan me sa duket vetëm vetëm ca mure anësore dhe godina e pushtetit mbajti. Të gjithë u strukën te Rama dhe Shumica u shndrrua në një kor që këndon me një zë, duke parë dhe ndjekur lëvizjen e duarve të dirigjentit, që e humbi torruan vetëm për 24 orë.

U morr pra, edhe njëherë prova se sistemi shqiptar, shtetëror apo qeverisës, nuk është dot i vetë korigjueshëm, i vetë shërueshëm apo i vetë riparueshëm, sepse sëmundja është shumë e thellë dhe e gjithëpërhapur.

Sepse sot i ndodhi Tahirit, nesër një bela e ngjashme mund ti ndodhë kujtdo, prandaj dhe sistemi vetëorganizohet për të mbyllur plagën Tahiri, si të ishte plaga e tyre e përbashkët, si një fatkeqësi që duhet përballaur bashkarisht…

Mirëpo Rama, është akoma dy lëvizje para. Ai nuk është i kënaqur me mbylljen e plagëve të trupit të sëmurë të sistemit që ai drejton, por edhe më gjerë.

Në të gjitha koridoret, nga ku hapen fjalët dhe diversionet, kryeministri ndjehet i “tradhëtuar” nga Berisha dhe Basha, dhe pra nga marrëveshja e shkelur e 18 Majit, që thuhet se parashikonte një klimë të butë ndërmjet PS dhe PD dhe sidomos mossulmime të rrezikshme, si kjo që sapo ndodhi, të cilën Rama e ka bindje që ka qenë e urdhëruar nga influencat e Berishës, në Prokurorinë e Krimeve të rënda.

Dhe ka dhënë porositë përkatëse kundër Berishës dhe kudo që ka “pika të dobta” te ishpushtetarët e PD, për një kundërsulm juridik, për hakmarrje ndaj rastit Tahiri. Mundësisht arrestime të niveleve të larta.

Edhe për të fshirë nga kujtesa kolektive e shqiptarëve, tërmetin Tahiri të para disa ditëve… /360grade.al/