Presidentja Osmani në Prekaz: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë!

E publikuar: 28/11/2022 10:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz me rastin e shënimit të 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo tha se Adem Jashari hyri një herë në histori për të mbetur përherë, derisa shtoi se është “hero i dinjitetit tonë”.

“Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike. Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë!”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shpërndarë edhe fotografi nga kjo vizitë, ku shihet se ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe nga kabineti i saj.