Presidenti nigerian, vizitë të hënën në Uashington

E publikuar: 29/04/2018 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Nigerian Muhammadu Buhari do të takohet të hënën në Uashington me Presidentin Trump.

Dy udhëheqësit pritet të diskutojnë kërcënimin e terrorizmit dhe rritjen ekonomike të vendit më të populluar të Afrikës me afro 200 milionë banorë.

Nigeria pëballet me kryengritjen nëntë vjeçare të grupit ekstremist, Boko Haram i cili synon të krijojë një shtet islamik. Dhjetëra mijëra vetë janë vrarë, qindra vajza janë rrëmbyer në shkolla, ndërkohë që Boko Harami ka vazhduar të shtrihet në vendet fqinje duke u shndërruar në kërcënim për rajonin e Afrikës Perëndimore gjatë viteve të fundit.

Vitin e kaluar, administrata e Presidentit Trump miratoi shitjen e ndihmave ushtarake, si avionë sulmues të teknologjisë së lartë dhe pajisje të tjera me vlerë 600 milionë dollarë, për të ndihmuar ushtrinë nigeriane në operacionet e tyre kundër Boko Haramit dhe terroristëve të ISIS, si dhe për të luftuar trafikun e drogës, armëve dhe trafikun me njerëz.

Pritet që presidenti Buhari të kërkojë nga Amerika mbështetje më të madhe ushtarake për të përmbushur premtimet e tij për zhdukjen e Boko Haramit. Zoti Buhari ka në plan të konkurrojë për një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.