Prej 21 tetorit në burg, Meta lë sot qelinë për t’u paraqitur në SPAK

E publikuar: 07/01/2025 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është thirrur këtë të martë për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me dosjen “CEZ-DIA”.

Meta, i cili është arrestuar më 21 tetor 2024 dhe ndodhet në masën e sigurimit “Arrest në burg”, pritet të mbërrijë rreth orës 10:00 në ambientet e SPAK ndërsa ka reaguar në rrjetet sociale nga qelia. Sipas tij, hetuesit do të jenë ata që do të pyeten nga ai, duke e shpallur veten si të hapur për të marrë pjesë në seancë dhe për t’u përgjigjur ndaj pyetjeve të mediave të pranishme pas kësaj seance.

Në postimin e tij, Meta thekson se është thirrur nga “regjimi” dhe ka bërë akuza të forta në lidhje me arrestimin e tij duke e cilësuar si “rrëmbimin të paligjshëm dhe banditesk”.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk.

Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në Facebookun e Ilir Metës.