Pozita dhe opozita përafrojnë qëndrimet për demarkacionin?

E publikuar: 15/09/2016 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësues të PDK-së, LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, janë mbledhur sonte në një tryezë, ku temë e bisedimeve ishte çështja e demarkimit të vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi, dhe tentimi për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje e cila ka bllokuar vendin.

Nënkryetari i PDK-së, Elmi Reçica tha për KosovaPress se gjatë këtij takimi ka parë një përparim, megjithatë nuk ka dashur të japë detaje të tjera, duke thënë se vetëm iniciatori i takimit Naim Rashiti është i autorizuar të flas për këtë takim.

Sipas Reçicës, janë liderët e partive politike të cilët do të vendosin se çka do të veprohet tutje.

“I autorizuar është vetëm iniciatori se kështu jemi dakorduar. Ka një përparim por ju e dini se liderët janë ata që vendosin”, tha Reçica.

Ky takim është mbajtur në praninë e përfaqësuesve të ambasadave të huaja në Kosovë si ata amerikanë e britanikë.

Takimi është realizuar me iniciativën e Naim Rashitit nga Grupi Ballkanik, i cili ishte i vetmi që u prononcua për media pas takimit.

Ndonëse ky takim nuk u zhvillua në nivel liderësh, pjesë e tij ishin nga PDK-ja Xhavit Haliti e Elmi Reçica, nga LDK-ja Arban Abrashi e Faton Avdullahu, nga VV-ja Aida Dërguti e Driton Çaushi, nga AAK-ja Muharrem Nitaj e Ardian Gjini, si dhe nga Nisma për Kosovën Jakup Krasniqi e Bilall Sherifi.