Pomepo arrin në Arabinë Saudite, tejet i ashpër me Iranin

E publikuar: 29/04/2018 12:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është duke shtyrë komunitetin ndërkombëtar për të sanksionuar persona dhe subjekte që janë duke ndihmuar programin raketor të Iranit, ka njoftuar një zyrtar i lartë.

Aktualisht Pompeo është duke vizituar Lindjen e Mesme.

“Ne jemi duke u bërë thirrje shteteve në gjithë botën të sanksionojnë çdo individ dhe subjekt të lidhur me programin raketor të Iranit dhe kjo ka qenë pjesë e madhe e diskutimeve me evropianët”, ka deklaruar këshilltari i lartë politik, Brian Hook, që është duke udhëtuar me Pompeon në Arabinë Sudite.

“Raketat e Iranit zgjasin luftën dhe vuajtjet në Lindje të Mesme, ato kërcënojnë sigurinë dhe interesat ekonomikë dhe ata kërcënojnë sidomos Arabinë Saudite dhe Izraelin”, ka thënë ai.

Pomepo, që është betuar këtë javë në pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, ka arritur në Riad në kuadër të udhëtimit të tij në Lindje të Mesme, pas pjesëmarrjes së tij në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai do të vizitojë edhe Jerusalemin dhe Ammanin.

Udhëtimi i tij vjen në kohën kur po afrohet 12 maji, njëherësh afati i fundit i deklaruar nga presidenti amerikan, Donlad Trump për të rregulluar siç ka thënë ai të metat e tmerrshme të marrëveshjes bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Në të kundërtën, Trump ka paralajmëruar se do ta largojë SHBA-në nga kjo marrëveshje.

Raketë, e cila sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes është raketë e prodhur nga Irani dhe e përdorur nga rebelët huthi për të sulmuar Arabinë Saudite.

Raketë, e cila sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes është raketë e prodhur nga Irani dhe e përdorur nga rebelët huthi për të sulmuar Arabinë Saudite.

Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina që janë po ashtu pjesë e marrëveshjes, i kanë bërë thirrje Uashingtonit të vazhdojë të jetë pjesë e paktit, duke thënë se kjo është mënyra më e mire si Iranit mund t’i parandalohen aktivitetet bërthamore.

Mirëpo Trump ka thënë se Teherani ka shkelur “shpirtin” e marrëveshjes duke vazhduar testimin e raketave balistike dhe duke nxitur dhunë në Lindje të Mesme.

Irani në anën tjetër i hedh poshtë vazhdimisht këto akuza.

Sipas paktit, Iranit i është premtuar lirim nga sanksionet në këmbim të frenimit të programit bërthmor.

Pomepo ka thënë në një konferencë për media në Bruksel më 27 prill se ende nuk është marrë “asnjë vendim” lidhur me pjesëmarrjen e SHBA-së në këtë pakt.

Mirëpo ai ka thënë se nëse nuk bëhen ndryshime substanciale, ka shumë mundësi që Trump të largohet nga marrëveshja.

Pomepo, i cili ka shërbyer i drejtor i CIA-s para se të fitonte pozitën e Sekretarit të Shtetit, ka qenë një nga zyrtarët e parë në administratën e Trumpit që ka vizituar Arabinë Saudite në fillim të pozitës së tij si shef i agjencisë.

Ai është mirëpritur në airport nga ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir dhe pritet të takohet edhe me trashëgimtarin e fronit, Princin Muhammad bin Salman dhe Mbretin Salman gjatë vizitës së tij.

Përgatiti: Krenare Cubolli