Politikani serb thotë se u intervistua nga BIA për shkak të mbështetjes së tij ndaj Kosovës

E publikuar: 12/06/2023 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq ka njoftuar se ka përfunduar intervistimi i tij nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA).

Ai në një postim në Twitter ka treguar se tema e intervistimit ka qenë mbështetja e tij për Kosovën në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Sapo ka përfunduar intervista informative në BIA. Tema e bisedës ishte mbështetja ime ndaj Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, pajtimit për bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar Bogdanoviq.

Politikani serb më tej shkruan se supozon që mund të arrestohet në Serbi nëse vazhdon me politikën e paqes ndërmjet Kosovëd dhe Serbisë.

“Unë supozoj se do të arrestohem në Serbi nëse vazhdoj me politikën e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe duke avokuar për integrimin e tyre euroatlantik dhe anëtarësimin në NATO. Më është paraqitur se aktivitetet e mia janë në kundërshtim me Kushtetutën e Sebisë, ndërkaq unë u përgjigja se nuk po shkel Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Bogdanoviq.