Policia e Kosovës ka dhënë detaje për mbylljen e komunës paralele të Skenderajt që vepronte në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimit, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në afërsi të objektit të policisë në Mitrovicë të Veriut kanë vërejtur persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyrë.
“Sot, me datën 16.10.2024, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në afërsi të objektit të policisë në DRP-Mitrovicë Veri, kanë vërejtur persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyre, ku gjatë verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyre vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse për komunën e Skenderajt”.
“Lidhur më këtë është kontaktuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që provat materiale që gjenden në këtë zyre të sekuestrohen dhe zyra të mbyllet, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia tha se sipas autorizimit të prokurorit, po kryhen veprimet përkatëse për intervistimin e personave të identifikuar dhe po ekzaminohen provat materiale.