Policia me aksione kundër kontrabandës, gjashtë të arrestuar

E publikuar: 31/05/2022 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës në dy raste të ndryshme, ka kapur në flagrancë gjithsej gjashtë persona të dyshuar për veprën penale “Kontrabandim me mallra”, të cilët përkundër tentativës për t’iu shmangur ndalimit policor janë ndaluar së bashku me mallin e kontrabanduar.

Njësia e Task forcës së bashku me njësinë patrulluese nga SPMK-Gjlan dhe në koordinim me prokurorinë në Gjilan, kanë shtuar masat duke bërë vëzhgime përgjatë vijës kufitare Kosovë – Serbi.

“Fillimisht njësia e task forcës bazuar në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente ka identifikuar një traktor me rimorkio të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, ku në të janë gjetur mallra si: mish i bluar, barna, pije alkoolike, pula, lepuj dhe zogj (pëllumba). Ndërsa në rastin e dytë është kapur një person i cili po vëzhgonte rrugën teksa pas tij me traktor me rimorkio ishte i dyshuari mashkull kosovar i cili poashtu kishte të ngarkuar mallra s: pije alkoolike (birra) , pesticide të ndryshme, karrige të çmontuara, mjete piroteknike, alkool, verë të kuqe dhe verë të bardhë”, thuhet në komunikatë.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare – Lindje së bashku me Hetimet Rajonale- Gjilan. Me urdhër të prokurorit kompetent për gjashtë personat e përfshirë në të dyja rastet është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor për numërim dhe vlerësim të mallit nga ana e Doganës së Kosovës.