Policia jep detaje për aksidentin e rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”

E publikuar: 23/02/2018 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës ka pranuar sot informatën se rreth orës 20:30 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në afërsi të fshatit Mazgit është shkaktuar një vetëaksident trafiku ku është përfshirë një veturë.

Si pasojë e aksidentit 4 persona kanë pësuar lëndime trupore, njëri prej me lëndime të rënda,kështu ka deklaruar për “Indeksonline” zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në QKUK, përderisa një segment i rrugës është bllokuar për shkak të këtij aksidenti.

“Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në QKUK. Segmenti rrugor i autostradës nga Truda deri në Mazgit është bllokuar për komunikacion derisa njësitë policore të kryejnë procedurat e shikimit të vendit të ngjarjes”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se njësitë policore për menaxhim të autostradës i janë përgjigjur rastit dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas procedurave të parapara për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar shkaqet e këtij vetëaksidenti.

Hoxha gjithashtu ka apeluar te drejtuesit e automjeteve që të jenë më vigjilent për të shmangur aksidente të tilla./Indeksonline/