Janë bërë rreth pesë muaj prej kur Policia e Kosovës është me ushtrues detyre. Gjatë kësaj kohe policia u përballë me situata të vështira si me dorëheqjën e zyrtarëve policorë nga komuniteti serb, barrikadat në veri që u pëcollën me tensione dhe sulme ndaj policisë etj, raste që shtuan nevojën që policia ta ketë drejtorin e saj.
Përkundër kësaj, Ministria e Punvëve të Brendshme, asnjëherë nuk i ka kthyer përgjigje për mbarëvajtjen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Për këtë temë zakonisht ka folur ish-drejtori Rashit Qalaj, tani deputet i PDK-së.
Nga informatat që Qalaj ka, thotë se janë eliminuar dy nga pesë kandidatët që kanë aplikuar për dejtor të PK-së. Por e gjithë stërzgjatja e këtij konkursi, sipas Qalajt është e paarsyeshme dhe e dëmshme për vendin.
Për moszgjedhjen e Drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, ka folur ish-drejtori Rashit Qalaj, duke ndarë informata të reja lidhur me konkursin.
Qalaj konsideron se moszgjedhja e drejtorit e ka dëmtuar policinë, duke përmendur tensionet në veri të vendit që ndodhën në kohën e festave të fundvitit.
“Çështja e moszgjedhjes së drejtorit të policisë është tejzgjatur pa ndonjë arsye. U bënë gati katër muaj që nga mbyllja e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të policisë dhe procedura, së paku deri para dy dite nuk ka filluar ende. Unë mendoj që kjo e ka dëmtuar institucionin e policisë duke pas parasysh edhe periudhën kohore të tensionuar sidomos në veri në dhjetorin e vitit të kaluar para festave. Unë mendoj që është një lëshim shumë i madh nga ministria e Brendshme, respektivisht nga Qeveria që ka ndihmuar që ky proces të tejzgjatet”, tha Qalaj.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka informata se dy nga pesë kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë janë eliminuar.
“Kam informata të reja se nga lista prej 5 kandidatëve që kanë aplikuar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, janë eleminuar dy kandidatë, ndërsa tre të tjerë sipas informatave që i kam, i plotësojnë të gjitha kushtet. Mirëpo procesi nuk është duke vazhduar, sepse njëri nga kandidatët e eleminuar ka bërë ankesë dhe derisa të shqyrtohet ankesa ky proces nuk mund të fillojë”, tha Qalaj.
I pyetur se kush janë emrat që janë eliminuar ai tha “Emrat i di, por nuk do t’i bëjë publik, është detyrë e MPB-së t’i bëjë emrat publik. Nuk dyshoj qe eliminimi i tyre ka pasur ndonjë qëllim , sigurisht ata nuk i plotësojnë kushtet apo kanë ndonjë pengesë tjetër. Por duhet të zgidhet sa më shpejt drejtori dhe institucioni kryesor i sigurisë në vend të funksionojë me drejtor të ri”.
Po ashtu, Qalaj theksoi se njëri nga kandidatët e eliminuar është ankuar.
“Ai veç është ankuar dhe është procedurë, besoj që kjo kryhet shpejt. Uroj që drejtori të zgjidhet sa më shpejtë”.
Gjithashtu e rithekson se “është e paarsyeshme dhe e dëmshme për vendin që institucioni kryesor të mbetet pa drejtor për muaj të tërë”.
Ai shton se është dëm që policia të mbetet me ushtrues detyre, duke thënë se Drejtori i ri do t’i përcaktonte objektivat e reja dhe pastaj PK do të angazhohej për realizimin e tyre.
“Policia është duke funksionuar meqenëse sipas ligjit zv/drejtori i përgjithshëm për operacione është Ushtrues Detyre deri në përzgjedhjen e drejtorit, mirëpo një drejtor i përgjithshëm i përcakton objektivat e tij se ku dëshiron ta dërgojë organizatën brenda mandatit të tij dhe pastaj ato objektiva duhet të angazhohet e tërë organizata që t’i arrijë. Realisht kur është një organizatë me U.D., ju e dini se U.D., nuk i ka disa kompetenca apo heziton t’i ushtrojë në shumë çështje dhe mendoj që është dëm që policia dhe institucionet e tjera të operojnë me ushtrues detyre”, tha Qalaj.
Që nga dorëheqja e Samedin Mehmetit, Policia e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre, Fehmi Hotin.
Samedin Mehmeti dha dorëheqje me 30 gusht 2022 pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçare nga disa persona madhorë e të mitur.
MPB nuk tregoi detaje për konkursin për drejtor të policisë, por në media u raportua se aplikuan pesë kandidatë.
Sipas emrave që kanë qarkulluar bëhet fjalë për Sllagjana Stojanoviq, drejtoreshë e administratës në Mitrovicë, Drejtori i Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala, Drejtori i Departamentit të Operacioneve, Gazmend Hoxha, ish-drejtori i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar, Fatos Haziri dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është pyetur në Kuvend për moszgjedhjen e drejtorit.
Në një seancë të Kuvendit në nëntor, Sveçla ka thënë se janë në fazën e themelimit të komisionit për të vazhduar me hapa të tjerë.
”Faza e dorëzimit të aplikacioneve është përmbyllë, tani jemi në proces të themelimit të komisionit që do të vijojë faza tjera të procesit. Sapo të themelohet komisioni me anëtarët që plotësojnë kriteret do të vazhdojmë me fazat e tjera”, kishte deklaruar Sveçla në nëntor të vitit të kaluar.