Policia arreston zyrtarin vitias që bëri një status në Facebook, i mllefosur pse Kurti ia ndali rrogën

E publikuar: 02/09/2022 22:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Naser Azemi, zyrtar i arkivit në Viti, është arrestuar menjëherë pasi kërcenoi kryeministrin Kurti përmes një shkrimi në Facebook.

I revoltuar për mosdaljen e rrogës, Azemi kishte thënë se do të merret personalisht me Kurtin nëse i ndodhë diçka fëmijeve të tij nga uria.

“Demagog i ndyer, rrogën e gushtit që e ke ndalur njerëzit për atë rrogë e kanë kryer punën! Vetëm i ndodhë fëmijëve të mi të vegjël diçka nga uria që ti jua ke shkaktuar, ta dijsh personalisht do të merrem me ty, nuk kam me të lanë vend kërkund në këtë botë!”, kishte shkruar Azemi në Facebook.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i tij, Xhevdet Smakiqi përmes një postimi në Facebook.

Sipas Smakiqit, Azemi nuk e ka kryer vepren penale Kanosje.

Ai thotë se postimi i tij nuk ishte serioz dhe është fshirë me vullnet nga zyrtari Azemi.

Avokati Smakiqi ka kërkuar që Naser Azemi të largohet menjëherë nga burgu.