Policia: Aksioni dje nuk u udhëhoq nga Mentor Shabani por nga menaxhmenti i lartë i PK-së

E publikuar: 27/03/2018 16:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së sotme në media të ndryshme serbe është raportuar se ishte polici Mentor Shabani i cili udhëhoqi operacionin e djeshëm për arrestimin e drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili hyri ilegalisht në Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni policor ka qenë i mbështetur në vendimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, ndërsa është udhëhequr nga menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës përderisa arrestimi i Gjuriq është bërë nga njësitet relevante policore e jo nga Nënkoloneli Mentor Shabani, siç citohet në media/portale serbe, trasnmeton Indeksonline.

Gjithashtu është theksuar se deklarimet apo supozimet e ngritura nga këto medium nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.

Njoftimi pa ndërhyrje nga Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës (PK), e adreson këtë informacion zyrtar për media me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, duke përfshirë tanjug-un e cila shkrimin e ka titulluar “Kush është Shabani, komandanti i aksionit brutal në Mitrovicë”, lidhur me këtë PK-ja sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e veprimeve operacionale policore me 26.03.2018 në Veri të Mitrovicës.

Bazuar në planifikimet policore, PK-ja ka qenë e angazhuar në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë të cilët nuk kanë poseduar leje për hyrje në Kosovës duke përfshirë edhe z.Gjuriq, dhe për këtë ka angazhuar njësi relevante policore me qëllim të implementimit të këtij vendimi. Operacioni policor ka qenë i mbështetur në vendimin e institucioneve shtetërore të RKS-së, ndërsa është udhëhequr nga menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, përderisa arrestimi i z.Gjuriq është bërë nga njësitet relevante policore e jo nga Nënkolonel Mentor Shabani siç citohet në mediat/portalet serbe.

Deklarimet dhe supozimet e ngritura nga mediumet serbe se kinse ky operacion policor është udhëhequr nga z.Shabani e zyrtar të tjerë individual të apostrofuar në media nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik./indeksonline/